Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Visar Azemi, ka hedhur akuza ndaj Komunës së Ferizajt, duke pretenduar se po ndodh një tjetër rast i keqpërdorimit të parasë publike dhe vazhdim i kaosit urbanistik në qytet.
Në një postim në Facebook, Azemi tha se tenderi për hartimin e dokumenteve të planifikimit urban – përfshirë Planin Zhvillimor Komunal, Hartat Zonale dhe rregulloren e bonuseve – është shpallur dy herë brenda gjashtë muajve, duke u anuluar fillimisht dhe më pas rishpallur me një vlerë edhe më të lartë: 550 mijë euro.
Sipas Azemit, tenderin e ka fituar e njëjta kompani që kishte qenë përgjegjëse edhe për planin e mëparshëm të zhvillimit, i cili, sipas tij, e ka kthyer Ferizajn në një “shembull të keq të shkatërrimit urban dhe arkitektonik”.
Reagimi i plotë:
“A e dini se si po shkatërrohet Ferizaji?
Në dhjetor të vitit të kaluar u hap një tender për të hartuar dokumentet e planifikimit të qytetit – Plani Zhvillimor Komunal, Hartat Zonale Komunale dhe rregulloren e bonuseve. Vlera? Gjysmë millioni euro! U anulua – thuhet për arsye të paqarta.
Por, në mars të këtij viti, tenderi u shpall sërish – kësaj radhe me vlerë më të lartë: 550 mijë euro! Dhe fitues u rishpall e njejta kompani – me ofertën më të shtrenjtë, për 61 mijë euro më shumë se operatori tjetër.
Komuna nuk e zgjodhi ofertën më të lirë, por atë që “iu pëlqeu më shumë”.Dhe kur kompania tjetër u ankua, s’u lanë as të shohin dokumentet. U tha se janë ‘sekrete afariste’. Transparenca? Zero. E as emrat e komisionit vlerësues nuk dihen.
Por ajo që dhemb më shumë është se kjo kompani ka qenë përgjegjëse edhe për planin e kaluar. Po, atë që e ktheu Ferizajin në shembullin më të keq të shkatërrimit urban dhe arkitektonik. Ndërtime pa kritere, shumë beton e aspak gjelbrim e hapësira sportive e rekreative.
Për ironi, pushteti aktual po e vazhdon kaosin urbanistik! Dhe sot… ata duan t’i japin edhe një herë të drejtën për të na shkatërruar.
Mjaft më me dallavere! Koha është që t’i japim fund kësaj mënyre të qeverisjes.”