Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka shprehur mbështetje për kandidatin e VV-së për kryetar të Prishtinës, Hajrullah Çeku, gjatë një takimi me kryesinë e Qendrës së Prishtinës.
Ai tha se Prishtina ka nevojë për një udhëheqje me përkushtim, guxim dhe drejtësi, duke theksuar se Çeku është zëri i qytetarëve dhe alternativa e besueshme për një kryeqytet të ndershëm dhe funksional.
E plotë:
Të dashur bashkëqytetarë,
Sot mbajtëm mbledhjen e kryesisë në Qendrën e Prishtinës ku ishte edhe kandidati ynë për kryetar të Prishtinës Hajrullah Çeku.
Prishtina është zemra e Republikës dhe meriton të udhëhiqet me përkushtim, vizion dhe ndershmëri.
Sot, më shumë se kurrë, Prishtina ka nevojë për një udhëheqje që frymëzon besim, sjell guximin për të vepruar dhe që i qëndron parimeve të drejtësisë. Prishtina ka nevojë për Hajrullah Çekun.
Hajra është zëri i qytetarëve dhe fryt i angazhimit të vazhdueshëm për të mirën e përbashkët. Ai është rritur me vlerat e qëndresës, drejtësisë sociale dhe zhvillimit gjithëpërfshirës.
Ai e njeh kryeqytetin deri në rrënjë dhe e do me gjithë zemër, me të gjitha sfidat e saj, që kërkojnë zgjidhje të vërteta, jo marketing.
Ne, së bashku me Hajren, hyjmë në këto zgjedhje për të ofruar një alternativë të re, të bëshme dhe të besueshme. Për t’i dhënë qytetarëve një Prishtinë që reflekton dinjitet, barazi dhe përkujdesje për secilin prej nesh.
Jemi me Hajrën për një Prishtinë të drejtë, funksionale dhe të ndershme. Ashtu që çdo lagje, çdo shërbim dhe çdo rrugë të pasqyrojë kujdesin për qytetarët dhe të ardhmen tonë të përbashkët.
Me vizion dhe integritet, me guxim e veprim do të ndërtojmë një kryeqytet që i shërben çdo familjeje me dinjitet, transparencë dhe profesionalizëm.
Ne, me Hajrullah Çekun, duam dhe do ta transformojmë Prishtinën në një kryeqytet modern, të drejtë dhe gjithëpërfshirës.
Ashtu siç e meriton Prishtina.
Ashtu siç e meritojnë qytetarët e saj.
Ashtu siç janë kryeqytetet e rajonit dhe të Evropës.