Një vjedhje e rëndë është zbuluar pasditen e djeshme në fshatin Dobratin të Graçanicës, ku persona ende të paidentifikuar kanë depërtuar me forcë në një fermë pulash dhe kanë marrë pajisje elektrike me vlerë të madhe.
Burime të besueshme nga strukturat e afërta me hetimin bëjnë të ditur për Sinjalin se më 21.02.2026 rreth orës 14:30 është raportuar rasti në polici.
Pronari i fermës, F. Morina (41-vjeçar), ka deklaruar se objekti kishte qenë pa energji elektrike për rreth tre muaj dhe për këtë arsye kishte kontaktuar një person për rregullimin e instalimeve. Kur ky i fundit, Xh. K (63-vjeçar), ka shkuar në fermë, ka vërejtur se dera ishte hapur me forcë dhe se dy trafo të rrymës ishin demontuar dhe vjedhur.
Sipas ankuesit, vlera e dëmit arrin mbi 30 mijë euro.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante policore, ndërsa është njoftuar edhe prokurori kompetent, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit penal “Vjedhje e rëndë”.
Aktualisht nuk ka persona të dyshuar dhe rasti mbetet nën hetime.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.














