Një rast i rëndë vjedhjeje është regjistruar mbrëmjen e djeshme në fshatin Duzhnje të Gjakovës, ku persona të panjohur kanë depërtuar në shtëpinë e një banori dhe kanë marrë armë, para dhe bizhuteri me vlerë të konsiderueshme.
Burime të besueshme nga strukturat e afërta me hetimin bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur më 31 tetor 2025, rreth orës 19:30, në shtëpinë e I. Sadrijes rreth 66-vjeçar. Viktima ka deklaruar se kur është ngjitur në katin e dytë të shtëpisë, ka vërejtur se dhoma e gjumit ishte e çrregulluar dhe se mungonte arma e tij me leje, 50 fishekë dhe një karikator.
Po ashtu, ai ka raportuar se nga dhoma i janë vjedhur një portofol me 1,100 euro, si dhe tre zinxhirë, dy byzylykë, pesë unaza ari dhe një orë dore, me vlerë të përgjithshme rreth 7,000 euro.
Pas kontrollit, Sadrija ka vizituar edhe shtëpinë e vëllait të tij, ku ka vërejtur se dera ishte thyer, duke shkaktuar dëm material prej rreth 200 euro, por ende nuk dihet nëse edhe aty janë marrë sende tjera me vlerë.
Me urdhër të Prokurorit Kujdestar, rasti është inicuar si “Vjedhje e rëndë”, ndërsa hetimet janë në vazhdim për identifikimin e autorëve të dyshuar dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes./Sinjali/













