Marketet në vendin tonë kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë cak i vjedhjeve dhe grabitjeve, ku hajnat arrijnë të kapin para apo gjësende ushqimore. Raste të shumta kanë ndodhur në pikat e rrjetit të Viva Fresh në plot qytete. Përveç humbjeve, plaçkitjet po shkaktojnë pasiguri si për punëtorët ashtu edhe për klientët, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë është vërejtur mbrëmjen e sotme, rreth orës 19:30, nga stafi i marketit, në një nga pikat e rrjetit Viva Fresh Store, në rrugën “Rrustem Statovci” në Prishtinë.
Sipas burimeve të brendshme të marketit, një person ka hyrë në ambientet e brendshme dhe është drejtuar te sektori i produkteve të higjienës, prej nga ka marrë 15 deodorantë spray dhe 3 xhel të markës Nivea, me vlerë totale prej 100 euro dhe është larguar pa paguar.
Policia është parë në vendin e ngjarjes dhe ka intervistuar punonjësen e marketit, e cila ka ofruar detaje mbi rrethanat e ngjarjes, por nuk bëhet e ditur nëse është hapur rast apo jo.
Më pas, ajo është shoqëruar në Stacionin Policor “Qendra” për deklarim zyrtar.
Pas konsultimit me prokurorin përkatës, rasti është inicuar si “Vjedhje”, ndërsa hetimet janë duke vazhduar për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarit.