Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka përshëndetur gatishmërinë e Hamasit për lirimin e pengjeve në Gazë, duke e cilësuar këtë si një shenjë “inkurajuese”.
“Ky moment duhet të shfrytëzohet. Një armëpushim i menjëhershëm në Gaza dhe lirimi i të gjitha pengjeve po arrihen”, ka shkruar ajo në X. Von der Leyen shtoi se Evropa do të mbështesë “të gjitha përpjekjet që synojnë përfundimin e vuajtjeve të civilëve dhe promovimin e zgjidhjes së qëndrueshme për paqen, zgjidhja me dy shtete”.
Hamas ka njoftuar se është i gatshëm të lirojë të gjithë pengjet, të gjallë dhe të vdekur, sipas kornizës së detajuar në planin 20-pikësh të presidentit amerikan, Donald Trump, dhe të hyjë “menjëherë” në negociata për detajet e këtij propozimi.
Në deklaratë, Hamasi theksoi se disa elemente të planit të paqes të propozuar nga Trumpi janë të pranueshme, ndërsa të tjerat do të kërkojnë negociata të mëtejshme.













