
Faqja “Vrojtuesit e Lagjes” në Lipjan ka reaguar ashpër ndaj veprimeve të zyrtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), duke e cilësuar fushatën e kësaj partie si “më të pisëtën e më të fëlliqurën në Kosovë”.
Në pamje të publikuara, sipas tyre, shihen dy zyrtarë të Qendrës për Punë Sociale në Lipjan, Lorik Berbatovci dhe Fjolla Ibrahimi, të cilët janë njëherësh edhe zyrtarë të LDK-së, duke shpërndarë pako ushqimore gjatë fushatës zgjedhore.
“Po i përdorin për fushatë edhe qytetarët në nevojë, edhe skamnorët. Po tentojnë t’ua marrin votën me një bukë e një qese oriz. Këta janë ofendim për Lipjanin, këta janë ofendim për ta përfaqësuar Lipjanin,” thuhet në reagim.
Tutje, “Vrojtuesi e Lagjes” e ka quajtur këtë praktikë “irrituese dhe të pafalshme”, duke theksuar se nuk ka gjë më të rëndë se sa të shohësh “votën në shportën e skamnorit, në bukën e tij të gojës”.