Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka hedhur poshtë akuzat e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, sipas të cilave Serbia po përgatitet për konflikt dhe po synon destabilizimin e rajonit.
Gjatë një vizite në ndërtimin e një ure të re në Petrovaradin, Vuçiq ka theksuar se Serbia nuk është e interesuar për luftë, por për zhvillim dhe ndërtim.
Ai shtoi se e ka pasur një bisedë me zyrtarët më të lartë të Departamentit të Shtetit dhe se është e pamundur që të ndodhin gjëra të mëdha pa e ditur Amerika dhe Kina.
“Për sa i përket deklaratave të Vjosa Osmanit se po përgatitemi për konflikt, unë thashë se nuk kemi angazhuar asnjë ushtar, nuk kemi lëvizur asnjë makineri, as që na shkon ndër mend. Ne duam të punojmë dhe të ndërtojmë. Ata që flasin vazhdimisht për luftë, ndoshta kanë diçka për të fshehur dhe përpiqen t’ua hedhin fajin të tjerëve,”, tha Vuçiq.
Ai theksoi se Serbia është fokusuar në përparim dhe zhvillim dhe nuk ka asnjë qëllim të provokojë.
Kjo reagim vjen pas deklaratave të presidentes Osmani gjatë vizitës së saj në SHBA, ku ajo theksoi se presidenti amerikan Donald Trump kishte penguar përshkallëzimin e konfliktit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.