Përparimi i Serbisë drejt Bashkimit Europian është i lidhur drejtpërdrejt me zgjidhjen e konfliktit me Kosovën. Ky është një kusht i domosdoshëm si për Serbinë si për Kosovën, i përsëritur me dhjetëra herë nga Bashkimi Europian për dy vendet fqinje.
Dhe derisa është shumë e qartë se pa e përmbushur këtë nuk mund të ketë anëtarësim në BE, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një deklaratë kundërthënëse u zotua sërish se nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, ndërsa thotë se e synon BE-në.
Duke komentuar rezolutën e Parlamentit Europian ku veprimet e pushtetit serb ndaj protestuesve, shoqërisë civile, kontrollit të mediave, dështimit për t’u përballë me të kaluarën morën dënimin më të ashpër ndonjëherë, Vuçiq u mundua ta zbusë atë duke thënë se mori mbështetje nga më pak eurodeputetë sesa ajo e mëparshmja.
“Kishte 60 vota më shumë kundër rezolutës sesa kur u miratua rezoluta e mëparshme dhe më shumë deputetë abstenuan”, tha Vuçiq, duke theksuar për RTS se shtatë ose tetë deputetë më shumë votuan për rezolutën e re sesa për atë të mëparshmen.
Ai shtoi se Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen dhe Presidenti i Këshillit të BE-së Antonio Costa janë “simbole të pushtetit dhe vendimmarrësve” dhe se në këtë kuptim “është e qartë se ato nuk po miratohen nga PE”.
Mungesën e avancimit drejt BE-së, Vuçiq u mundua ta arsyetojë para publikut serb me refuzimin e Serbisë për të vendosur sanksione ndaj Rusisë.
“Ne nuk kemi hapur asnjë kapitull të vetëm për tre vjet e gjysmë dhe kjo përkon me fillimin e luftës në Ukrainë”, deklaroi Vuçiq dhe theksoi se Serbia “do të ishte kampione bote” nëse do të kishte vendosur sanksione ndaj Rusisë, raporton Danas.
“Unë besoj se tani ka një momentum të ri dhe se Serbia është e rëndësishme për BE-në dhe Unioni është shumë i rëndësishëm për ne, investitori më i madh, vendi ku jeta është më e mirë dhe ku i përkasim. Mendoj se po hapen disa mundësi për ne, besoj se një mundësi e tillë ekziston”, u përgjigj Vuçiq në pyetjen nëse Serbia mund të bëhet anëtare në vitin 2030.
Ai paralajmëroi, megjithatë, se “ekziston çështja e Kosovës”, duke shtuar se nuk mund dhe nuk do ta pranojë pavarësinë e Kosovës.














