Në Vushtrri është shënuar përvjetori i rënies së dëshmorit të kombit, Avni Saraçi, me aktivitete përkujtimore të organizuara nga Komuna e Vushtrrisë, raporton Ekonomia Online.
Ceremonitë kanë filluar me homazhe pranë varrezave të dëshmorëve në orën 11:00, ku përfaqësues të institucioneve, familjarë dhe qytetarë kanë nderuar veprën e tij.
Më pas, në orën 12:00, është bërë përurimi i shtatores së dëshmorit Avni Saraçi, në vendin e rënies së tij, afër Urës së Gurit, nën patronazhin e kryetarit të Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi.
Në këtë aktivitet është theksuar rëndësia e sakrificës së dëshmorit për lirinë e vendit dhe domosdoshmëria e ruajtjes së kujtimit për brezat që vijnë.