Lëvizja Vetëvendosje e ka rikandiduar Qemail Aliun për kryetar të Shtimes.
Përmes një komunikate në Facebook, ky subjekt politik që drejton Shtimen që nga viti 2021, ka shkruar se “Qeverisjes së mirë ia zgjatim dorën”.
“Qeverisjes së mirë ia zgjatim dorën e ia japim mbështetjen e parezervë! Me Kryetarin Qemajl Aliu për fitoren e rradhës në Shtime, për mandatin e dytë. Në një takim të ngrohtë sot në Shtime, në prani të Kryesisë së Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Koordinatorit të Qendrave, deputetit Salih Zyba dhe Ministrit Vitia dhe aktivistëve që me përkushtim mbajnë të gjallë angazhimin tonë qytetar, Kryetari aktual i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, mori besimin dhe nominimin për të garuar sërish në zgjedhjet lokale të vjeshtës. Ky nominim është shenjë e vlerësimit të punës së bërë dhe e përkushtimit për ta çuar përpara rrugën e transformimit që tashmë ka nisur dhe që po realizohet me ritëm të shpejtë”, thuhet në njoftim.
“Në mandatin që po lëmë pas, Shtimja ka qenë shembull i qeverisjes së përgjegjshme dhe të orientuar drejt zhvillimit. Janë realizuar projekte madhore dhe historike që kanë përmirësuar infrastrukturën dhe shërbimet publike e që e kanë forcuar ndjenjën e përkatësisë dhe të respektit ndaj qytetarëve. Këto arritje janë themeli mbi të cilin do të ndërtohet edhe mandati i ardhshëm – me më shumë punë e më shumë investime”, thuhet më tutje.
Lëvizja Vetëvendosje drejton katër komuna, Gjilanin, Podujevën, Shtimen, Kamenicën.
Si në qendër, LVV është kritikuar për qeverisje edhe në nivel lokal.