Shtetet e Bashkuara do t’i ofrojnë Ukrainës të dhëna të inteligjencës për sulme raketore me rreze të gjatë ndaj infrastrukturës ruse të energjisë, raportoi të mërkurën gazeta e njohur amerikane, “The Wall Street Journal”, përderisa Uashingtoni po e shqyrton mundësinë që ta furnizojë Kievin me armë që do të vendosnin më shumë caqe brenda rrezes së tij.
Shtetet e Bashkuara për një kohë të gjatë kanë qenë duke ndarë të dhëna të inteligjencës me Ukrainën, por në raportin e së mërkurës thuhet se zhvillimi i ri do t’ia lehtësojë Ukrainës goditjet ndaj rafinerive, naftësjellësve, stacioneve të energjisë dhe infrastrukturës tjetër me qëllim të privimit të të hyrave dhe naftës për Kremlinin.
Sipas gazetës së njohur, zyrtarët amerikanë gjithashtu do të kërkojnë nga aleatët e NATO-s që Ukrainës t’i ofrojnë mbështetje të ngjashme, transmeton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Presidenti amerikan, Donald Trump, u ka bërë trysni shteteve evropiane që ta ndërpresin blerjen e naftës nga Rusia në këmbim që Shtëpia e Bardhë t’i vendosë sanksione të ashpra Moskës në përpjekje që t’ia zvogëlojë fondet për zhvillimin e luftës në Ukrainë.
As Shtëpia e Bardhë, as Ukraina apo misionet e Rusisë në Kombet e Bashkuara nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave të ndara për koment nga agjencia “Reuters” të mërkurën.
Sipas zyrtarëve amerikanë të cituar nga gazeta “The Wall Street Journal”, miratimi për ndarjen e të dhënave shtesë të inteligjencës erdhi pak para se Trumpi të shkruante në rrjete sociale javën e kaluar, ku sugjeroi se Ukraina mund ta rimarrë tërë territorin e pushtuar nga Rusia, në një ndryshim të madh të qëndrimit në favor të Kievit.
Në aspektin e asistencës ushtarake shtesë, Shtetet e Bashkuara janë duke shqyrtuar një kërkesë të Ukrainës për të siguruar raketa “Tomahawk”, të cilat kanë rreze veprimi prej 2.500 kilometrash – mjaftueshëm për ta goditur Moskën dhe pjesën më të madhe të territorit evropian të Rusisë, nëse hidhen nga Ukraina.
Ukraina gjithashtu e ka zhvilluar raketën e vet me rreze të gjatë, të quajtur “Flamingo”. Sasia e tyre është e panjohur, pasi raketa është në fazën e hershme të prodhimit.