Analisti politik, Visar Ymeri, ka komentuar rezultatet e balotazhit të djeshëm nëpër komuna, duke theksuar se ato ishin të pritshme dhe se në shumicën e komunave kanë fituar kandidatët që pritej të fitonin tash e një kohë.
Ymeri, për GazetaBlic, tha se pritshmëritë e tyre kanë qenë që në Mitrovicë të zhvillohej një garë më e ngushtë dhe që fitues të dilte Arian Tahiri, për shkak të fushatës dhe propozimeve të tij në të mirë të qytetit.
“Gjatë fushatës është menduar që në Mitrovicë do të kemi një garë më të ngushtë dhe është pritur në fund fitorja e Arian Tahirit për shkak të fushatës së tij, paraqitjeve si dhe propozimeve që i ka pasur në të mirë të qytetit dhe komunës,” tha Ymeri.
Surprizë për të ishte edhe Komuna e Obiliqit, ku priste që Xhafer Gashi të dilte fitues përsëri.
“Në anën tjetër, edhe Obiliqi ishte befasi. Aty kam pritur që kryetari i deridjeshëm do të dilte fitimtar në garë,” shtoi ai.
Tutje, Ymeri tha se rezultati i përgjithshëm i zgjedhjeve e mirëmban diversitetin politik në Kosovë, duke prodhuar një ndarje të përafërt të komunave që do të qeverisen nga secila parti.
“Natyrisht që pesha e këtyre komunave nuk është e njëjtë dhe në këtë pikë ka parti që kanë fituar komuna të mëdha e të rëndësishme, të cilat kanë peshë më të madhe edhe elektorale në nivel lokal,” përfundoi Ymeri për GazetaBlic.












