Një rast i dyshuar i kontrabandës me dru dhe manipulimit të automjeteve është zbuluar në fshatin Svircë të Kamenicës dje, rreth orës 20:20.
Sipas Policisë së Kosovës, gjatë zbatimit të një plani operativ në zonën kufitare, zyrtarët policorë kanë hasur në një automjet me targa vendore, pranë të cilit ndodheshin dy persona. Të njëjtit, sapo kanë vërejtur prezencën e policisë, janë larguar me shpejtësi në drejtim të territorit të Serbisë.
Gjatë kontrollit të vendit të ngjarjes, afër automjetit është gjetur një sasi e konsiderueshme e drunjve të prerë, për të cilët dyshohet se janë futur ilegalisht nga Serbia. Sipas vlerësimeve të zyrtarëve përkatës, sasia e masës drusore arrin rreth 100 metra kub.
Automjeti i dyshuar është konfiskuar dhe dërguar në stacionin policor, ndërsa ekziston dyshimi se i njëjti është i falsifikuar, për shkak të ndërhyrjeve të evidentuara në numrin e shasisë.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kompetent dhe hetimet janë duke vazhduar.
“Svircë, Kamenicë / 11.04.2026 – 20:20. Gjatë implementimit të një plani operativ rreth brezit kufitar është hasur në një automjet me targa vendore afër të cilit kishin qenë dy persona të cilët kanë ikur në drejtim të Serbisë. Në atë vend afër veturës kishte pasur një sasi të konsiderueshme të drunjtëve të prera që dyshohet se janë sjellë nga Serbia dhe sipas zyrtarëve të AKP-së që kanë dalë në vendin e ngjarjes masa drusore është rreth 100 m3 (metër kub). Automjeti është konfiskuar dhe sjellë në stacion policor i cili dyshohet të jetë i falsifikuar pasi ka ndërhyrje në numrin e shasisë. Lidhur me rastin është informuar prokurori, rasti është duke u hetuar”.















