Një aksion i Policisë ka zbuluar një rast të organizimit të bixhozit të paligjshëm në fshatin Zllakuqan të Klinës.
Burime të Sinjalit bëjnë të ditur se mbrëmë rreth orës 21:40, policia u njoftua fillimisht për një dëmtim prone në një fushë sporti. Patrulla, sapo arriti në lokacion, vërejti disa automjete të parkuara dhe kur hyri brenda objektit gjeti një tavolinë me mjete bixhozi.
Në momentin që policët u futën brenda, 9-10 persona që po luanin bixhoz u shpërndanë dhe ikën nga vendi. Pak minuta më vonë, dy prej tyre – I. N. dhe H. D. – u kthyen për të marrë sendet personale dhe u arrestuan nga Policia.
Në vendngjarje u konfiskuan edhe katër automjete që dyshohet se u përkisnin personave të përfshirë. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj dy të dyshuarve është iniciuar rasti “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, ndërsa të njëjtit janë ndaluar për 48 orë.
Hetimet janë duke vazhduar për identifikimin e të gjithë pjesëmarrësve në këtë aktivitet të jashtëligjshëm.