
Një bastisje policore në një lokal në Vushtrri ka çuar në zbulimin e një veprimtarie të paligjshme të bixhozit dhe organizimit të skemave piramidale, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Ngjarja është raportuar më 24 shtator, rreth orës 11:00, kur një qytetar ka njoftuar se në lokalin “Lizart”, në rrugën “Pandeli Sotir”, po zhvillohej bixhoz i paligjshëm dhe aktivitete me skema piramidale.
Pas urdhrit të prokurorit, policia ka kryer bastisje në objekt, ku ka gjetur dhe sekuestruar 525 euro para të gatshme, 3 telefona mobil, disa fletëpagesa dhe dëshmi të tjera që lidhen me veprimtarinë e kundërligjshme.
Si rezultat, janë arrestuar dhe shoqëruar për intervistim tre persona: B.V, G. H dhe B. M.
Me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, të tre të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa rasti është iniciuar për veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.
Hetimet janë duke vazhduar.