Sëmundja e Parkinsonit mbetet ende e pashërueshme dhe progresive, që do të thotë se me kalimin e kohës simptomat përkeqësohen. Ajo shfaqet kryesisht në fazat e vona, me shenja si ngurtësim i muskujve, humbje e ekuilibrit, vështirësi në të folur, dridhje dhe probleme me shëndetin mendor. Në fazat më të avancuara, pacientët kanë vështirësi për të ecur, folur dhe funksionuar normalisht.
Shkencëtarët e lidhin Parkinsonin me humbjen e neuronëve që prodhojnë dopaminë në një pjesë të trurit të quajtur substantia nigra, e cila kontrollon lëvizjet e imëta. Kjo ndodh për shkak të formimit të trupëzave Lewy, grumbuj proteinash të quajtura alfa-sinukleinë, që formohen gabimisht dhe dëmtojnë qelizat nervore. Përhapja e këtyre trupëzave është ajo që përshpejton sëmundjen, por studiuesit mund të kenë gjetur një mënyrë për ta ndalur këtë proces.
Kërkimet e fundit kanë zbuluar se dy proteina, të quajtura Lag3 dhe Aplp1, punojnë së bashku për të ndihmuar përhapjen e alfa-sinukleinës toksike në tru. Kur shkencëtarët hoqën Lag3, përhapja u ngadalësua, por nuk u ndal plotësisht, çka i bëri ata të kuptonin se edhe Aplp1 luante një rol kyç.
Në një studim të ri, u përdorën minj të modifikuar gjenetikisht, të cilëve u mungonin njërën ose të dy proteinat dhe u trajtuan me ilaçin kundër kancerit nivolumab/relatlimab, që përmban një antitrup ndaj Lag3. Rezultatet ishin të jashtëzakonshme: te minjtë pa të dy proteinat, përhapja e proteinës së dëmshme u ul me 90%, ndërsa te minjtë normalë, ilaçi bllokoi ndërveprimin mes Lag3 dhe Aplp1, duke ndaluar pothuajse plotësisht formimin e grumbujve toksikë.
Këto janë ende fazat e para të testimeve dhe rezultatet janë marrë vetëm në modele shtazore, ndaj do të nevojiten shumë studime të tjera përpara se trajtimi të testohet te njerëzit. Megjithatë, zbulimi ngjall shpresë për një trajtim efektiv, madje edhe për një kurë të mundshme kundër Parkinsonit.
Kjo nuk është e vetmja risi në këtë fushë. Së fundmi, shkencëtarët kanë zbuluar edhe të ashtuquajturat “Super Stem Cells”, qeliza burimore që mund të rigjenerohen më mirë dhe të qëndrojnë të shëndetshme më gjatë, duke hapur mundësi të reja për trajtimin e sëmundjeve neurodegjenerative si Parkinsoni.













