Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Kreshnik Ahmeti, ka renditur rezultatet në politkën e jashtme të vendit.
Ai ka thënë se viti 2024 ishte dinamik.
“2024 ishte një vit dinamik e me shumë rezultate në politikën e jashtme” – ka shkruar ndër të tjera ai.
Shkrimi i plotë:
2024 ishte një vit dinamik e me shumë rezultate në politikën e jashtme
Atë e filluam me vizitën zyrtare në Arabinë Saudite, ku nënshkruam marrëveshjen për liberalizim të vizave për pasaportat diplomatike dhe ato zyrtare dhe u pajtuam për arritjen e marrëveshjes për fluturime direkte mes të dyja vendeve.
Pas liberalizimit të vizave për pasaportat zyrtare dhe diplomatike nga Tajlanda, përgjatë konsultimeve politike në Bangkok, lobuam për liberalizim edhe të pasaportave të rregullta, gjë që u materializua brenda vitit.
Në muajin prill, pas një angazhimi të gjatë dhe intensiv të Grupit Punues për Këshillin e Evropës, delegacionit parlamentar dhe misioneve diplomatike të Kosovës, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës (APKiE) mbështeti anëtarësimin e plotë të Kosovës në këtë organizatë, me 82% të votave në favor. Opinioni i APKiE është i qartë: Kosova duhet të anëtarësohet sepse ka plotësuar të gjitha kushtet.
Në korrik, realizuam vizitën e parë bilaterale në rajonin e Paqësorit, ku takova Kryeministrin e Fixhit dhe Zëvendeskryeministrin e Vanuatus. Në Port Vila, me zëvendëskryeministrin e Vanuatus, nënshkruam Marrëveshjen për Bashkëpunim mes dy Ministrive të Punëve të Jashtme.
Si rezultat i punës së Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Qeverisë së Kosovës në përgjithësi, përgjatë kësaj periudhe u nënshkruan dhjetëra marrëveshje ndërkombëtare të karaktereve të ndryshme dhe u hapën tri misione të reja në tri kontinente të ndryshme; u larguan vizat edhe nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Tajvani; u njoh pasaporta e Kosovës edhe nga Spanja dhe Armenia; u liberalizuan vizat me shtetet anëtare të zonës shengen; u zgjerua rrjeti i atasheve të mbrojtjes dhe vazhduan anëtarësimet e reja në organizata rajonale dhe ndërkombëtare.
Fillimi i vitit 2025 do të shënohet me fitoren e madhe të 9 shkurtit, si parakusht për vazhdimin e punëve të mira të qeverisë dhe përparimin e mëtutjeshëm të Kosovës edhe në politikën e saj të jashtme.