Veriu.info
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu

Zgjedhje milionëshe, transparencë minimale

24/10/2025 - 11:06
në Lajme
A A
Zgjedhje milionëshe, transparencë minimale
Shpërndaje në FacebookShpërndaje në Whatsapp

Gati katër milionë euro u shpenzuan nga 28 subjekte politike gjatë fushatës për zgjedhjet e 9 shkurtit për Kuvendin e Kosovës.

Vetëm pesë partitë kryesore – Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës/Nisma dhe Lista Serbe – shpenzuan rreth 3.6 milionë euro, sipas të dhënave që publikoi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Ligji kërkon që partitë t’i dorëzojnë raportet financiare brenda 30 ditëve nga certifikimi i rezultateve.

Më 12 tetor u mbajtën edhe zgjedhjet lokale, ndërsa rundi i dytë i tyre do të mbahet më 9 nëntor. Të dhënat për këto fushata do të publikohen më vonë, por në zgjedhjet e kaluara lokale, më 2021, pesë partitë kryesore shpenzuan rreth 1.3 milion euro.

Përfaqësues të shoqërisë civile paralajmërojnë se shumat reale të shpenzuara mund të jenë shumë më të larta, duke i tejkaluar ato të raportuara në KQZ.

Kjo edhe rrit shqetësimin për mungesën e transparencës dhe kontrollit mbi paratë e qytetarëve.

Mexhide Demolli, drejtoreshë ekzekutive e Lëvizjes FOL – organizatë që promovon llogaridhënien në institucionet publike – thotë se partitë politike në Kosovë vazhdojnë të jenë jotransparente në raportimin e mjeteve të shpenzuara gjatë fushatave zgjedhore.

Sipas saj, është absurde që në raportet financiare të disa prej partive më të mëdha, të hyrat e deklaruara të jenë dukshëm më të ulëta se shpenzimet për periudhën përkatëse.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, nga 16 gushti 2024 deri më 9 shkurt 2025, LVV ka deklaruar të hyra mbi 1.1 milion euro, PDK-ja mbi 559 mijë euro, LDK-ja mbi 94 mijë euro dhe AAK-ja mbi 18 mijë euro.

“Fatkeqësisht, ende mungon një mekanizëm i qartë dhe efektiv për monitorimin e shpenzimeve gjatë fushatës. Kjo është një nga problematikat kryesore që duhet të adresohet urgjentisht nga KQZ-ja”, thotë Demolli, duke shtuar se vetëm një sistem transparent do të siguronte raportime reale, e jo “sipas dëshirës” së partive.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk iu përgjigj interesimit të Radios Evropa e Lirë se a ka ndonjë mekanizëm për monitorimin e shpenzimeve të partive gjatë fushatave zgjedhore.

Profesori i Ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Berim Ramosaj, e konsideron procesin e deklarimit të shpenzimeve nga partitë politike si një hap pozitiv drejt transparencës financiare.

Megjithatë, ai shpreh dyshime serioze për saktësinë dhe besueshmërinë e të dhënave të raportuara.

Sipas Ramosajt, kostoja e fushatave zgjedhore është rritur ndjeshëm vitet e fundit, kryesisht për shkak të përdorimit të gjerë të rrjeteve sociale dhe zhvillimit të marketingut politik.

Sa kanë të drejtë të shpenzojnë dhe nga i sigurojnë mjetet?
Sipas ligjit në fuqi, subjektet politike në Kosovë mund të shpenzojnë deri në mbi dy milionë euro gjatë një fushate zgjedhore, ose jo më pak se një euro për çdo votues të regjistruar.

Ky kufi është përcaktuar me Rregulloren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), e miratuar në gusht të vitit të kaluar.

Në zgjedhjet e mëparshme, ky prag ishte 0.50 centë për votues – çka tregon një rritje të konsiderueshme të kufirit ligjor të shpenzimeve.

Partitë politike financohen nga dy burime kryesore: nga buxheti i shtetit dhe nga donatorët e jashtëm.

Financimi publik sigurohet çdo vit përmes Programit për Mbështetjen e Subjekteve Politike, i cili mbulon një pjesë të shpenzimeve të tyre operative dhe elektorale.

Institucionet ende të bllokuara
Edhe më shumë se tetë muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare, institucionet e reja të Kosovës nuk janë ende plotësisht funksionale, për shkak të mosmarrëveshjeve politike.

Derisa bisedimet për formimin e Qeverisë vazhdojnë të zvarriten, në skenë janë shfaqur diskutime edhe për një palë zgjedhje të parakohshme – çka e bën edhe më shqetësuese koston e fushatave.

“Janë shpenzime të tepërta. Partitë parlamentare marrin mjete nga buxheti i shtetit, nga donacionet dhe kontributet e qytetarëve e bizneseve, por vendi ende nuk ka qeveri funksionale. Madje, nuk dihet ende se sa është shpenzuar në zgjedhjet lokale, e ne mund të përballemi sërish me zgjedhje të parakohshme”, thotë Demolli për Radion Evropa e Lirë.

Ajo dhe Ramosaj vlerësojnë se partitë kanë shpenzuar shumicën e mjeteve të marra përmes Fondit të Qeverisë, ndërsa tani pritet të mbështeten gjithnjë e më shumë në donacione dhe kontribute private.

Por, problem mbetet transparenca.

Demolli thekson se donacionet që vijnë nga kompani publike, shpesh mbeten të padeklaruara – një praktikë që është vërejtur edhe në zgjedhjet e kaluara.

“Sapo marrin pushtetin – në nivel qendror apo lokal – këto kompani shpërblehen përmes tenderëve të ndryshëm”, thotë ajo, por nuk ofron ndonjë shembull konkret.

“Fatkeqësisht, kjo praktikë nuk po zhduket, por, përkundrazi, po përsoset mënyra se si jepen këto donacione dhe si fshihet publikimi i tyre”, shton ajo.

Edhe Ramosaj e sheh këtë si një rreth të mbyllur interesash politike dhe ekonomike.

Sipas tij, bizneset private rrallëherë japin mbështetje financiare pa llogaritur kthimin e investimit.

Asnjë donator, thotë ai, nuk jep mjete pa parë “koeficientin e kthimit” – sepse “kontributi i tyre nuk është dhuratë, por investim”.

Kjo shihet sidomos te partitë e vogla, që nuk kanë mundësi për kthimin e këtij “investimi”, thotë Ramosaj.

“Kthimi i këtij investimi mund të manifestohet në forma të ndryshme – që nga ndikimi në propozimin e ligjeve që favorizojnë interesat e donatorëve e deri te përfitimet konkrete, si: lejet e ndërtimit, koncesionet apo projektet publike që u shkojnë për shtat atyre apo grupeve të caktuara ekonomike”, shpjegon Ramosaj.

Sipas rregullores së KQZ-së, partitë politike kanë të drejtë të pranojnë kontribute shtesë për fushatat zgjedhore nga persona fizikë dhe juridikë.

Personat fizikë mund të dhurojnë deri në 2.000 euro, ndërsa subjektet juridike deri në 10.000 euro.

Këto kontribute mund të jepen nga dita e shpalljes së zgjedhjeve deri në ditën e mbajtjes së tyre.

Raportet e fundit të publikuara nga KQZ-ja tregojnë se shumica e donatorëve janë persona fizikë.

E, përtej miliona eurove që partitë politike shpenzojnë për fushatat elektorale, organizimi i zgjedhjeve përbën, gjithashtu, një kosto të lartë për shtetin.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, mbi 15.4 milionë euro janë ndarë nga buxheti i vitit 2025 për organizimin e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit dhe atyre lokale të 12 tetorit.

Grabitja me armë në autostradë, dyshohet se shoferit të postës ia kapën rreth 10 mijë euro

JU REKOMANDOJMË

Clark do të dëshmojë në mbrojtje të Thaçit, Pentagoni dhe DASH-i prezent kur ekipi ish-presidentit ka folur me të
Kryesore

Clark do të dëshmojë në mbrojtje të Thaçit, Pentagoni dhe DASH-i prezent kur ekipi ish-presidentit ka folur me të

24/10/2025 - 14:03
Çka nëse Kurti s’arrin ta propozojë Qeverinë deri të dielën?
Kryesore

Çka nëse Kurti s’arrin ta propozojë Qeverinë deri të dielën?

24/10/2025 - 13:54
Pacienti detyrohet të paguajë 64 euro për penj, QKUK-ja pranon mungesën
Lajme

Pacienti detyrohet të paguajë 64 euro për penj, QKUK-ja pranon mungesën

24/10/2025 - 13:52
Deklarata e fuqishme e Clarkut: Ishte nderi i jetës që isha komandant i NATO-s për të ndaluar spastrimin etnik (VIDEO)
Kryesore

Deklarata e fuqishme e Clarkut: Ishte nderi i jetës që isha komandant i NATO-s për të ndaluar spastrimin etnik (VIDEO)

24/10/2025 - 13:35
Brukseli: Pa qeveri funksionale, Kosova nuk mund të ecë drejt BE-së
Lajme

Brukseli: Pa qeveri funksionale, Kosova nuk mund të ecë drejt BE-së

24/10/2025 - 13:27
Rexhaj: Opozita do ta bëjë qeverinë
Lajme

Rexhaj: Opozita do ta bëjë qeverinë

24/10/2025 - 13:16

Më të lexuarat në 24 orët e fundit

  • Miftaraj: Vendimi i Gjykatës Supreme është i qartë – deputetët që janë edhe ministër nuk mund të ushtrojnë njëkohësisht dy funksione

    Nisin ankesat për faturat e rrymës teksa dimri afron, Miftaraj: Kur e pashë çminin, mendova që jam pronar biznesi

    96 Shpërndaje
    Shpërndaje 38 Tweet 24
  • E zbulon Policia: Ky është personi që mashtronte qytetarët dhe kërkonte para duke u thirrur në emër të Veton Elshanit

    92 Shpërndaje
    Shpërndaje 37 Tweet 23
  • Deputeti i VV’së thotë se të dielën bëhet qeveria

    90 Shpërndaje
    Shpërndaje 36 Tweet 23
  • Hoxha, biznesmeni e shoferi| Skema se si për një lokal me letra false viktimës iu morën mbi 100 mijë euro fajde

    89 Shpërndaje
    Shpërndaje 36 Tweet 22
  • Debati i ashpër Syla-Buzhala për opozitën: Pe shani LDK’në e PDK’në, Fatmirin kurrë – I mur votat me neve, dul i hyni n’gojë Albin Kurtit

    87 Shpërndaje
    Shpërndaje 35 Tweet 22

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Privacy Policy

© 2023 Veriu.info

Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum

© Veriu.info

Veriu.info përdor cookies. Duke vijuar me hapjen e kësaj faqe, ju bini dakord me kushtet për përdorimin e cookies. Më shumë