Partnerët e Kosovës presin që më 28 dhjetor Kosova të zhvillojë një proces zgjedhor fer dhe demokratik. Pritje të njëjta ata kanë edhe pas zgjedhjeve.
Mbretëria e Bashkua, Franca dhe aleatët kanë bërë me dije se Kosova ka nevojë formim të shpejt të institucioneve pas zgjedhjeve.
Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka bërë me dije se Kosova ka nevojë për një qeveria stabile.
Në një intervistë për “Express”, diplomati britanik ka vlerësuar bashkëpunimi dhe kompromisi ndërmjet partive pas zgjedhjeve do të jenë esencialë.
“Mbi të gjitha, shpresoj që këto të jenë zgjedhjet e fundit për një kohë më të gjatë! Kosova ka nevojë për një qeveri stabile dhe të vendosur, e jo për një cikël të mëtejmë të pasigurisë zgjedhore. Mesazhi im për partitë politike është i qartë: Çfarëdo që të jetë rezultati, bashkëpunimi dhe kompromisi do të jenë esencialë për ta bërë të mundur formimin e shpejtë të institucioneve në vitin e ri. Kosova përballet me sfida dhe mundësi të rëndësishme, ndërsa ngërçi politik i tejzgjatur vetëm sa do ta vonojë përparimin. Një ton më i qetë dhe më i civilizuar midis palëve sesa ai që kemi dëgjuar në shkurt do të ndihmojë në krijimin e kushteve për dialog konstruktiv dhe stabilitet”, ka thënë ai.
Ai e ka lavdëruar të kaluarën e Kosovës për organizimin e zgjedhjeve të mira.
“Kosova e ka një të kaluar mbresëlënëse me zgjedhje të lira dhe të ndershme. Shpresoj që procesi zgjedhor i 28 dhjetorit të jetë i qetë dhe transparent dhe të zhvillohet në përputhje të plotë me standardet demokratike. Zgjedhjet janë gurthemel i demokracisë së Kosovës, ndërsa është jetike që të gjithë akterët – institucionet, partitë politike dhe qytetarët – ta luajnë rolin e tyre për ta garantuar kredibilitetin dhe drejtësinë e tyre. Udhëheqësitë e Komisionit Qendror e Zgjedhjeve, Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe Gjykatës Supreme kanë luajtur role jetike për garantimin e integritetit të proceseve zgjedhore që janë mbajtur deri më tani, ndërsa unë dua që t’i falënderoj për këtë”, ka thënë ai.
Edhe ambasador i Francës, Olivier Guerot, ka ftuar partitë politike që të bashkëpunojnë pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
Ditë më parë, ai ka takua presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, ku i ka shprehur pritjet e tij.
Sipas tij, Franca ka nevojë për një partner që kontribuon në stabilitetin rajonal.
“Shpreha shpresën time se zgjedhjet e 28 dhjetorit do të çojnë në formimin e një qeverie. Ne kemi nevojë për një partner të plotë për të kontribuar në stabilitetin në rajon dhe për të zhvilluar marrëdhëniet tona dypalëshe. E informova Presidentin Osmani për dëshirën tonë për të mbështetur tranzicionin energjetik, përgatitjet për Lojërat Mesdhetare 2030, përpjekjet e #Kosovës për t’u bërë anëtare e plotë e Organizatës Ndërkombëtare të #Frankofonisë dhe shkëmbimet ekonomike midis dy vendeve tona”, ka shkruar ai në llogarinë e tij në “X”.














