Një rast shqetësues është raportuar të shtunën pasdite në Mitrovicën e Veriut, ku një vajzë e mitur është larguar nga shtëpia dhe nuk është kthyer më.
Sipas burimeve të Sinjalit brenda Policisë, më 26 korrik 2025 rreth orës 14:30, në rrugën “Kolashini”, është raportuar zhdukja e G.S. rreth 16-vjeçare, e cila dyshohet se është larguar nga banesa e prindërve të saj pa lënë ndonjë njoftim apo gjurmë.
Denoncimin e ka bërë M.S. rreth 36-vjeçar, i cili ka deklaruar se vajza nuk posedon telefon mobil, nuk ka marrë me vete asnjë dokument identifikimi dhe nuk dihet se ku mund të ketë shkuar.
Sipas përshkrimit të familjarëve, në momentin e zhdukjes, ajo kishte të veshur një maicë të kuqe, pantallona të shkurtra ngjyrë kafe dhe patika të zeza.
Hetuesi kujdestar është vënë menjëherë në dijeni për rastin dhe ka kontaktuar prokurorin kujdestar, i cili ka urdhëruar që rasti të iniciohet si “Person i zhdukur” dhe hetimet të vazhdojnë në procedurë të rregullt.
Policia është në kërkim të vajzës dhe i bën thirrje qytetarëve që nëse kanë ndonjë informacion që ndihmon në gjetjen e saj, të kontaktojnë menjëherë organet kompetente.