Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka pritur në takim gjeneral brigade Chris McKinney nga Komanda Europiane e SHBA-së (EUCOM) dhe të ngarkuarën me punë të ambasadës amerikane, Anu Prattipati.
Ai tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës si “shtet mik i yni dhe partner strategjik” janë element i rëndësishëm për zhvillimin e mëtutjeshëm të Kosovës drejt anëtarësimit në NATO, por dhe ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkanit Perëndimor.
“Me gjeneral brigade Chris A. McKinney, Zëvendësdrejtor i Partneritetit, Bashkëpunimit të Sigurisë dhe Armëve të Shkatërrimit në Masë të Komandës Evropiane të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USEUCOM) që sot kisha nderin ta pres në takim së bashku me të ngarkuarën me punë në Ambasadën e ShBA në Kosovë, Annu Prattipati, diskutuam për gjendjen e sigurisë në vend, ndërsa e njoftova për të arriturat e deritanishme të FSK-së, si dhe fokusin e zhvillimit për vitet në vijim, rritjen e kapaciteteve ushtarake përmes blerjeve shtet më shtet, ku partner strategjik shohim ShBA-të, dhe veçanërisht zhvillimin e industrisë së mbrojtjes”.
Maqedonci tha se me të u dakorduan për intensifikim të bashkëpunimit dhe konkretizim të projekteve me qëllimin zhvillimin profesional të FSK-së.
“Duke vlerësuar lart bashkëpunimin e deritanishëm mes FSK-së dhe Komandës Evropiane të Ushtrisë Amerikane, gjeneralit Kinney i shpreha falënderimin tim për mbështetjen e vazhdueshme, si në fushën e trajnimeve, po ashtu në projekte të ndryshme infrastrukturore, ndërsa të dy u dakorduam për intensifikim të bashkëpunimit dhe konkretizim të projekteve, të cilat kanë për qëllim zhvillimin profesional dhe taktik të FSK-së”./Express/