Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Alban Zogaj ka thënë se ky subjekt politik nuk ka votë blanko për Lëvizjen Vetëvendosje ndaj nuk e votojnë Albulena Haxhiun për kryeparlamentare.
Zogaj ka shtuar se nuk e kanë për obligim ti japin votë LVV-së dhe se sipas tij është e padrejtë të kërkohet një gjë e tillë prej tyre.
“Ne kemi thënë që në parim nuk kemi votë blanko për Lëvizjen Vetëvendosje dhe si rezultat ne nuk mund ta votojmë Albulena Haxhiun. Ne nuk e kemi për obligim me i dhënë votë Lëvizjes Vetëvendosje aktualisht andaj edhe natyrisht që nuk ka votë. Këtë e kemi thënë në vazhdimësi e kemi thënë edhe para zgjedhjeve edhe gjatë fushatës zgjedhore e po e themi edhe pas zgjedhjeve andaj është totalisht e padrejtë që me u kërku votë prej nesh”, ka thënë ai në emisionin “Ditari” në Tëvë1.
I pyetur nëse LDK-ja do ta votonte Fatmir Limajn për kryeparlamentar, Zogaj është shprehur se aktualisht nuk kanë qëndrim për këtë por që sipas tij një kandidaturë të tillë do ta analizonin.
“Kjo është krejtësisht hipotetike dhe nuk kemi aktualisht qëndrim për këtë. Nëse do të vijë një kandidaturë e tillë do ta kishim analizuar por aktualisht nuk mund të përgjigjem në këtë pyetje hipotetike. Aktualisht ne çfarë po shohim është që ka mungesë të tërësishme të komunikimit qoftë me LDK-në por edhe me partitë e tjera. Nuk ka thirrje serioze për një marrëveshje politike dhe prandaj jemi edhe në këtë ngërç politik”, ka shtuar Zogaj.
Ai tutje ka thënë se beson që shpejt do të ketë ndryshim të qasjes.
“Personalisht besoj shumë që do të ketë ndryshim të qasjes sa më shpejt që është e mundur në mënyrë që të ecim tutje”, ka deklaruar ai.