Veriu.info
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu

23:59 kaloi, Kuvendi mbeti i pakonstituuar – opozita akuzon LVV-në për shkelje kushtetuese

08/08/2026 - 00:19
në Kryesore, Lajme
A A
23:59 kaloi, Kuvendi mbeti i pakonstituuar – opozita akuzon LVV-në për shkelje kushtetuese
Shpërndaje në FacebookShpërndaje në Whatsapp

Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të konstituohet brenda afatit 30-ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, i cili ka skaduar të premten në mesnatë.

Në orët e fundit para skadimit të afatit, deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancës janë mbledhur në objektin e Kuvendit, duke kërkuar që vazhdimi i seancës konstituive të mbahet sonte dhe procesi të përfundojë para mesnatës.

Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, e ka akuzuar kryeministrin në detyrë dhe liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për mosrespektim të rregullave dhe normave kushtetuese.

“Albin Kurti, me një kryeneçësi të paparë, po refuzon të respektojë çdo rregull, çdo ligj, çdo normë”, ka deklaruar Çitaku, duke shtuar se PDK-ja “nuk do të bëhet pjesë e përmbysjes së rendit kushtetues”.

Ajo i ka bërë thirrje Kurtit që të vijë në Kuvend dhe të mundësojë vazhdimin e procesit të konstituimit.

“Ne e kemi për detyrë ta nderojmë rendin, ligjin dhe Kushtetutën. I bëjmë thirrje Albin Kurtit që sonte të vijë në Kuvend, ta konstituojë Kuvendin dhe të ecim tutje”, ka thënë Çitaku.

Edhe LDK-ja ka kërkuar që seanca të mbahet sonte. Deputetja Jehona Lushaku-Sadriu ka thënë se është e papranueshme që Kuvendi të mos konstituohet brenda afatit kushtetues.

“Kuvendi i Kosovës të konstituohet sonte, brenda afateve kushtetuese. Vërtetë është për keqardhje që sillet institucioni më i lartë legjislativ në vend në një pozitë të tillë ku sfidohet edhe kushtetutshmëria edhe funksionaliteti”, ka deklaruar ajo.

Lushaku-Sadriu ka bërë të ditur se deputetët e LDK-së ishin të gatshëm të merrnin pjesë në seancë nëse ajo do të thirrej para skadimit të afatit.

“Ne si deputetë të LDK-së jemi këtu dhe po presim ftesën që kurdo që thirret seanca të bëjmë konstituimin e Kuvendit dhe të fillojmë funksionalitetin e institucioneve”, ka thënë ajo.

Në anën tjetër, Aleanca ka kërkuar mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme në orën 22:30. Shefi i Grupit Parlamentar, Besnik Tahiri, ka thënë se deputetët mund të kërkojnë seancën edhe përmes 40 nënshkrimeve.

“Si Grup Parlamentar kemi një kërkesë për një seancë të jashtëzakonshme, e cila duhet të thirret sonte në orën 22:30”, ka deklaruar Tahiri.

Ai ka thënë se afati kushtetues përfundon në orën 23:59.

“E drejta jonë na jep të drejtën që me 40 nënshkrime të hyjmë në sallë dhe ta nisim e përfundojmë sonte, ashtu siç është afati kushtetues. Në orën 23:59 përfundon afati kushtetues”, ka thënë Tahiri.

Tahiri e ka cilësuar situatën si shkelje të rendit kushtetues, duke akuzuar partinë e parë për moskonstituimin e institucioneve.

“Ajo çfarë jemi duke parë është, shkurt dhe shqip, një shkelje e rendit kushtetues nga partia që i ka fituar zgjedhjet”, ka deklaruar ai.

Pavarësisht kërkesave të opozitës, vazhdimi i seancës nuk është mbajtur të premten. Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, e ka caktuar vazhdimin e seancës për të shtunën në orën 11:00, pra pas skadimit të afatit 30-ditor.

Ky vendim ka nxitur reagime të shumta nga opozita dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Eugen Cakolli nga KDI e ka cilësuar vendimin për caktimin e seancës pas afatit si “shkelje të hapur dhe cenim të drejtpërdrejtë të rendit kushtetues”.

Sipas Cakollit, kryesuesi duhej ta thërriste vazhdimin e seancës brenda afatit, në mënyrë që procesi të përfundonte deri në orën 23:59. Ai ka paralajmëruar se pas mesnatës deputetët mund t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese dhe të kërkojnë edhe masë të përkohshme për pezullimin e seancës së së shtunës.

Cakolli ka reaguar edhe pasi deputetëve u është mbyllur dera e sallës plenare, duke e cilësuar këtë veprim “skandaloz” dhe “të papranueshëm”.

“Absolutisht skandaloze dhe e papranueshme që deputetëve t’u mbyllet dera e sallës plenare dhe, rrjedhimisht, t’u pamundësohet fizikisht ushtrimi i funksionit”, ka shkruar Cakolli.

Ai ka kërkuar që të bëhet e ditur se kush e ka marrë vendimin për mbylljen e sallës dhe sipas urdhrit të kujt ka vepruar Administrata e Kuvendit.

Ndërkohë, LDK-ja ka deklaruar se kërkesa e saj ka qenë që seanca të mbahej sonte deri në mesnatë. Nënkryetari i kësaj partie, Lutfi Haziri, ka thënë se kjo është kërkuar për respektimin e afateve dhe ruajtjen e frymës kushtetuese.

“Sot, edhe gjatë takimit edhe pas takimit mes Abdixhikut dhe Kurtit, lidhur me bisedimet për një marrëveshje të mundshme, ne kemi thënë dhe kemi kërkuar që LDK-ja ka pritur, ka kërkuar dhe ka ftuar seancë sonte deri në ora 00 të mesnatës në mënyrë që të ruhen afatet kushtetuese”, ka thënë Haziri.

Ai ka theksuar se përgjegjësia për thirrjen e seancës, sipas tij, nuk ishte vetëm e kryesuesit, por edhe e partisë së parë.

“Është dashur të ftohet seanca, jo vetëm nga kryesuesi si më i vjetri me moshë, por nga partia e parë. Asaj i takon që të hapë rrugë, të respektojë dhe t’i ftojë deputetët që në mënyrë kushtetuese të formohen organet e Republikës”, ka deklaruar Haziri.

Haziri ka thënë gjithashtu se LDK-ja do të vendosë të shtunën në mëngjes nëse do të marrë pjesë në seancën e caktuar për orën 11:00.

Në lidhje me negociatat për formimin e institucioneve, Haziri ka deklaruar se LDK-ja kërkon “balancë institucionale”, ndërsa ka thënë se qëndrimi i partisë për emrin e propozuar për president nuk ka ndryshuar.

Sipas tij, Vjosa Osmani mbetet emri i LDK-së për postin e presidentit. Haziri ka mohuar ndërkohë se emri i tij është diskutuar për këtë pozitë.

Nga ana tjetër, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, përmes një letre drejtuar kreut të PDK-së, Bedri Hamzës, ka përsëritur ofertën për bashkëpunim institucional. Kurti ka propozuar që PDK-së t’i bëhet rokadë pozita e nënkryetarit të Kuvendit me postin e kryetarit të Kuvendit, në këmbim të pjesëmarrjes së PDK-së në procesin e zgjedhjes së presidentit.

Kurti ka thënë se konstituimi i Kuvendit dhe zgjedhja e presidentit duhet të bëhen “të gjithë bashkë”, ndërsa ka paralajmëruar se një marrëveshje do të shmangte edhe zgjedhjet e reja.

PDK-ja, ndërkohë, e ka akuzuar Kurtin se po e vendos vullnetin partiak mbi Kushtetutën. Në një deklaratë, kjo parti ka thënë se afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit përfundon të premten dhe se caktimi i vazhdimit të seancës pas këtij afati përbën shkelje të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

LDK-ja gjithashtu ka reaguar duke kërkuar që Kuvendi të konstituohet brenda afatit dhe duke paralajmëruar se mosrespektimi i aktgjykimit mund të krijojë paqartësi kushtetuese.

Në anën tjetër, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, i është kundërpërgjigjur kritikave të opozitës duke përmendur rastin e vitit 2025, kur sipas tij Kuvendi nuk ishte konstituuar brenda 30 ditëve nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit.

“Askush prej opozitës asokohe, e as prej ‘analistëve’, nuk e kishte cilësuar këtë vonesë si problem e as si shkelje kushtetuese. Çka kanë sot?”, ka shkruar Murati.

Pas skadimit të afatit, mbetet e paqartë nëse opozita do të marrë pjesë në seancën e së shtunës. Besnik Tahiri ka deklaruar se për këtë do të vendosin grupet parlamentare.

JU REKOMANDOJMË

Shkelja e afatit për konstituim të Kuvendit, Bedri Hamza nuk e përjashton mundësinë për protesta

Shkelja e afatit për konstituim të Kuvendit, Bedri Hamza nuk e përjashton mundësinë për protesta
08/08/2026 - 00:39

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, është deklaruar pas skadimit të afatit kushtetues për konstituimin e Kuvendit. Hamza tha se PDK do të përdorë të gjitha...

Më shumëDetails

Gruda paralajmëron ndryshime te PDK-ja: Prej nesër do të ndërtojmë një strategji të re

PDK-ja ia voton VV-së kandidatin për kryekuvendar vetëm nëse nuk ka qenë ministër ose ministre, thotë Gruda
07/08/2026 - 23:34

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka paralajmëruar ndryshime në qasjen e kësaj partie karshi veprimeve anti-kushtetutese të Albin Kurtit. I ftuar në emisionin Paradoks me...

Më shumëDetails

Gjini: Sonte Kosovën e shohin me dhimbje miqtë ndërsa me gëzim armiqtë, Kurti po ia qet faqen e zezë vendit

Gjini: Sonte Kosovën e shohin me dhimbje miqtë ndërsa me gëzim armiqtë, Kurti po ia qet faqen e zezë vendit
07/08/2026 - 23:05

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, pas ftesës për vazhdimin e seancës konstituive nesër, ka thënë se sonte, Kosovën janë duke e parë me dhimbje qytetarët dhe miqtë e...

Më shumëDetails

Zelenskyy arrin në Serbi, do takohet me Vuçiqin

Zelenskyy arrin në Serbi, do takohet me Vuçiqin
07/08/2026 - 22:54

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, ka mbërritur në Serbi, ku pritet që sot dhe nesër të zhvillojë takime liderët shtetëror atje, përfshirë edhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. Zelenskyy,...

Më shumëDetails

Kryeziu-Hyseni: Opozita po qëndron sonte në Kuvend sepse e di që nuk do të ketë zhvillim

Kryeziu-Hyseni: Opozita po qëndron sonte në Kuvend sepse e di që nuk do të ketë zhvillim
07/08/2026 - 22:46

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, ka reaguar lidhur me situatën në Kuvendin e Kosovës pas mbledhjes së nënshkrimeve për vazhdimin e seancës konstituive sonte e jo nesër...

Më shumëDetails

Pozhari: Kosova po shkon drejt zgjedhjeve

Pozhari: Kosova po shkon drejt zgjedhjeve
07/08/2026 - 22:42

Konsulenti politik, Xhevdet Pozhari, ka komentuar zhvillimet e sotme ku nuk është arritur që konstituohet Kuvendi i Kosovës. Pozhari vlerëson se vendi po shkon drejt zgjedhjeve. “Mendoj se...

Më shumëDetails

Më të lexuarat në 24 orët e fundit

  • Policia e Maqedonisë së veriut arreston biznesmenin kosovar Sedat Bashota, po kërkohej me urdhër-arrest nga Gjermania

    Policia e Maqedonisë së veriut arreston biznesmenin kosovar Sedat Bashota, po kërkohej me urdhër-arrest nga Gjermania

    159 Shpërndaje
    Shpërndaje 64 Tweet 40
  • Bie çmimi i naftës në Kosovë, ja sa shitet sot

    101 Shpërndaje
    Shpërndaje 40 Tweet 25
  • Zbulohet skema sesi dy persona hakeruan Raiffeisen Bank duke i marrë 200 mijë euro klientëve

    126 Shpërndaje
    Shpërndaje 50 Tweet 32
  • “Lamtumirë, Lorik” – familja me fjalë prekëse pas aksidentit fatal të kosovarit me motoçikletë në Shqipëri

    95 Shpërndaje
    Shpërndaje 38 Tweet 24
  • Policia në veri zbulon armë e eksploziv në banesën e pjesëmarrësit në sulmin e Banjskës dhe pajisje ushtarake në një kanal afër stacionit policor

    90 Shpërndaje
    Shpërndaje 36 Tweet 23

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Privacy Policy

© 2023 Veriu.info

Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum

© Veriu.info

Veriu.info përdor cookies. Duke vijuar me hapjen e kësaj faqe, ju bini dakord me kushtet për përdorimin e cookies. Më shumë