Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar përvjetorin e masakrës së 3–4 shkurtit të vitit 2000 në Mitrovicë, duke e cilësuar atë si një nga plagët më të rënda të pasluftës në Kosovë.
Osmani kujtoi sesi bandat kriminale serbe vranë 10 civilë të pafajshëm, plagosën 25 të tjerë dhe dëbuan me dhunë 1 mijë e 564 familje, me gjithsej 11 mijë e 364 anëtarë, nga shtëpitë e tyre.
Sipas saj, ky ishte një krim i hapur kundër njerëzimit dhe një përpjekje brutale për ta thyer shpirtin e qytetit dhe për ta zhdukur praninë e shqiptarëve në pjesën veriore të Mitrovicës.
“Mitrovica qëndroi dhe nuk u thye, ndaj ky krim nuk do të harrohet kurrë dhe drejtësia do të mbetet kërkesë e pandalshme,” theksoi Osmani.
Presidentja u shpreh se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të kërkojnë drejtësi për viktimat. Ajo theksoi se e vërteta, kujtesa dhe drejtësia janë themeli mbi të cilin ndërtohet paqja e qëndrueshme.













