Një rast i rëndë sulmi është raportuar të martën pasdite në Prishtinë, ku një person ka përfunduar me lëndime trupore pas një konflikti fizik në një lokal.
Burime të Sinjalit bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur më 9 shtator 2025, rreth orës 14:30, në rrugën “Ilir Konushevci”, në lokalin “Tadon”, ku pas një mosmarrëveshjeje mes disa personave ka shpërthyer një përleshje fizike.
Të përfshirë në incident ishin: V. H., viktima e rastit, dhe Gentrit Morina, Naser Prapashtica e Enver Prapashtica, si të dyshuar.
Gjatë konfliktit, viktima V.H. ka marrë goditje në kokë me një mjet të fortë, duke pësuar lëndime trupore. Ai është dërguar në QKUK, ku ka marrë tretman mjekësor dhe më pas është liruar.
Në vendngjarje kanë dalë të gjitha njësitë relevante të Policisë, ndërsa me urdhër të Prokurorit kujdestar, i dyshuari Naser Prapashtica është dërguar në Qendrën e Mbajtjes për 48 orë.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë duke vazhduar.