
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se mërgata shqiptare mbetet një e rëndësishme dhe përcaktuese në të ardhmen e Kosovës po aq sa ishte edhe në të kaluarën.
Në kuadër të fjalës hyrëse në Konferencën “Diaspora Flet 2023”, Konjufca ka thënë se kontributi i mërgatës në Kosovë mbetet i vazhdueshëm.
“Ky kontribut i mërgatës tonë ka qenë konstant dhe vjen deri tek organizimi i luftës sonë çlirimtare në krye me UÇK-në, një përpjekje madhështore e cila në thelb kishte dy qëllime: arritjen e lirisë sonë dhe krijimin e një shteti të fuqishëm…mendoj që në masë të madhe është arritur në mënyrë të suksesshme e këtu sërish mërgata ka qenë vendimtare përmes kontrubutit të vet. Edhe në procesin tonë pas shpalljes së pavarësisë, këto 15 vite deri tash, le ta quajmë procesin e shtetndërtimit, unë konsideroj që mërgata është e pazëvendësueshme. Më lejoni të konstatoj se po aq sa ishte vendimtare në të kaluarën, po aq sa e përcaktoi të kaluarën tonë dhe arritjet tona deri këtu sot, mendoj që është po aq e rëndësishme dhe e përcaktueshme është edhe për të ardhmen”, ka deklaruar ai.
Kryeparlamentari Konjufca ka thënë se tashmë është nevoja për të hapur kapitullin e dytë të vendin e që në të përfshihen dy faza në relacion të ngushtë me mërgatën. Ajo e krijimit të mekanizmave për ruajtjen dhe mbrojtjen e identitetit kombëtar dhe mërgata si komponente ekonomike e vendit.











