Kanë kaluar dy javë dhe Kuvendi i Kosovës nuk ka mbajtur asnjë seancë. Ndonëse presin shumë projektligje për t`u miratuar, përfaqësuesit e popullit nuk janë mbledhur për t`i diskutuar.
I gjithë sesioni pranveror parlamentar është karakterizuar me ndërprerje dhe shtyrje të seancave në mungesë të kuorumit. Kjo ka bërë që të shtohen kritikat ndaj Kuvendit, duke u cilësuar si institucion jofunksional.
Opozita dhe monitoruesit e punës së Kuvendit për këtë mosefikasitet të organit më të lartë legjislativ gishtin po e drejtojnë nga partia në pushtet, e cila e ka shumicën në Kuvend.
Përmes një analize, KDI ka vlerësuar se mungesa e kuorumit në seancat e Kuvendit është shndërruar në problem serioz.
“Vetëm gjatë sesionit pranveror të këtij viti, tri seanca janë ndërprerë për shkak të mungesës së kuorumit, ndërsa nuk ka pasur kuorum për votim në shtatë seanca. Nga praktika e ndërprerjes së seancave, tash e dy javë Kuvendi ka shkuar një hap tutje duke mos organizuar fare seanca për shkak të mungesës së kuorumit”, është thënë në analizën e KDI-së, duke shtuar se me të njëjtën problematik janë përballur edhe komisionet parlamentare.
“Me mungesë të kuorumit janë përballur edhe komisionet parlamentare. Vetëm gjatë sesionit pranveror kanë dështuar pesë mbledhje të komisioneve si shkak i mungesës së kuorumit. Deputetët që kanë munguar kanë qenë nga pozita dhe opozita ndërsa si arsye herë janë dhënë udhëtimet e deputetëve, por shpesh herë arsyet nuk kanë qenë të ditura”, ka vlerësuar KDI.
Përfaqësuesit e opozitës për mungesën e seancave e kanë fajësuar partinë në pushtet. Ata kanë thënë se mos thirrja e seancave dhe mungesa e kuorumit tregon për paaftësinë e partisë së Albin Kurtit.
KDI-ja në analizën për për punën e Kuvendit ka vlerësuar se mungesa e deputetëve po ndodh edhe për shkak të mosndëshkimeve.













