Në Komisionin e Politikës së Jashtme të Senatit Amerikan, të enjten u dëgjuan porosi se sa i rëndësishëm është Ballkani Perëndimor, si dhe përfshirja shtesë amerikane në rajon, tha anëtari demokrat i komisionit, senatori nga New Hampshire Jeanne Shaheen në një për Zërin e Amerikës pas përfundimit të seancës në të cilën u diskutua politika amerikane në Ballkan, shkruan GazetaBlic.
Senatorja Shaheen, përndryshe nënkryetare e Nënkomitetit për Evropën, një ditë para seancës dëgjimore për politikën amerikane në Ballkan, ka paraqitur sërish një propozim legjislativ për rajonin, të titulluar “Ligji për Demokracinë dhe Prosperitetin e Ballkanit Perëndimor”.
Shaheen foli edhe për dialogun Kosovë-Serbi, me ç’rast theksoi se Kryeministri i Kosovës, albin Kurti dhe Presidenti i serbisë, Aleksandar Vuçiq, kanë mundësinë që të drejtojnë vendet e tyre në rrugën e mirëqenies dhe paqes.
Ajo u pyet edhe për artikullin e gazetës New York Times, ne të cilin u theksua se Vuçiq ka lidhje me klanet kriminale në Serbi, me ç’rast tha se e ka lexuar artikullin dhe se është e brengosur.
“Akuzat në këtë artikull janë shumë shqetësuese. Unë gjithashtu thashë në seancë, ndër të tjera, se ne tani kemi një mundësi të madhe në Ballkanin Perëndimor. Udhëheqësit atje kanë mundësi, veçanërisht presidenti Vuçiq dhe kryeministri Kurti në Kosovë. Ka një marrëveshje paraprake dhe mund ta zbatojnë. Ata mund t’i drejtojnë vendet e tyre në një rrugë tjetër. Është rruga e paqes dhe prosperitetit. Dhe shpresoj që ta shfrytëzojnë këtë mundësi”, tha Shaheen.
Ajo tutje theksoi se SHBA-ja synon të mbështetë përpjekjet për zbatimin e marrëveshjes paraprake mes Kosovës dhe Serbisë.
“Formimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe është një mënyrë për ta bërë këtë. Një gjë tjetër që është shumë e rëndësishme është të përpiqemi të inkurajojmë ato vende evropiane, të cilat ende nuk e kanë bërë këtë, që ta njohin Kosovën. Pra, kur bëhet fjalë për të dyja palët, ka shumë mënyra se si mund të mbështesim përpjekjet e tyre për zbatimin e kësaj marrëveshjeje”, tha Shaheen.
E pyetur rreth ngurrimit të Kurtit për të formuar Asociacionin, për shkak të frikës së krijimit të një Republike të re serbe në Ballkan, Shaheen u përgjigj se askush nuk dëshiron një situatë, në të cilën do të kishte një republikë të pavarur, e cila nxit probleme dhe konflikte në vend.













