Ndonëse këtë vit priten të ndahen miliona euro grante në bujqësi, Ministria e Bujqësisë akoma nuk ka hapur thirrjen për aplikim. Nga kjo ministri nuk kanë treguar se kur pritet të hapet thirrja dhe sa para do të ndahen grante për bujqit. Fermerë e ekspertë të bujqësisë thonë se ndarja e granteve duhet të bëhet pa vonesa.
Me qëllim të përkrahjes së bujqve dhe rritjes së prodhimtarisë vendore, Ministria e Bujqësisë pritet të ndajë rreth 100 milionë euro këtë vit. Kështu u zotuan edhe në një konferencë për media në fillimvit kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Bujqësisë, Faton Peci.
Aplikimi për pagesa direkte – subvencione për vitin 2023, i cili parasheh rritje të përkrahjes për bujqit, tashmë ka përfunduar. Ndërkohë, thirrja për aplikim për grante akoma nuk është hapur.
Radio Kosova ka pyetur Ministrinë e Bujqësisë se kur pritet të hapet thirrja për aplikim për grante dhe sa është vlera totale e mjeteve që planifikohen të ndahen për bujqit këtë vit, por, përkundër interesimit dhe pritjes mbi një javë, nga kjo ministri nuk kanë kthyer përgjigje.












