Ligji i ardhshëm i zgjedhjeve që së shpejti pritet të kalojë në Kuvendin e Kosovës për miratim, mund të mbesë i pazbatueshëm. Kjo mund të ndodhë për një arsye të vetme – Qeveria e Kosovës nuk ka paraparë mjete financiare shtesë të nevojshme për zbatimin e tij, shkruan Gazeta Blic.
Me ligjin e ri që është draftuar nga komisioni ad hoc për reformën zgjedhore do të ndryshohen disa nga praktikat e deritashme të procesit zgjedhor. Kjo do të thotë edhe kosto shtesë, por kjo nuk është konstatuar nga dikasteri që është nën vartësinë e kryeministrit, Albin Kurti.
Gjatë muajit prill, Gazeta Blic ka raportuar në një seri shkrimesh lidhur me detaje të shumta nga procesi i reformës zgjedhore.
Sipas draftligjit të publikuar në Blic do të ndryshojë mënyra e numërimit të fletëvimeve.
Ky proces që deri më tani kryhej në vendvotime do të ndryshojë.
Në vendvotime do të numërohen vetëm votat për subjektet politike, kurse ato për kandidatët do të numërohen në Qendra Komunale të Numërimit (QKN), të cilat do të formohen në çdo komunë. Këto QKN do të vendosen në palestra sportive apo të ngjashme dhe do të kenë grupe të shumta numërimi. Kjo do të krijojë kosto shtesë për procesin zgjedhor, por që nuk është paraparë në opinionin e dikasterit qeveritar.
Edhe votimi jashtë vendit pritet të ketë kosto shtesë, por pavarësisht që kjo është konstatuar nga vetë ministria, kjo është lënë të mbulohet nga KQZ-ja në kuadër të buxhetit të vlerësuar për vitet e ardhshme.
Më 10 maj të këtij viti, Qeveria e drejtuar nga Kurti ka marrë vendim i cili i është përcjellur Kuvendit të Kosovës. Në këtë vendim që mban nënshkrimin e kryeministrit Albin Kurti, Kuvendi i Kosovës njoftohet për opinionin ligjor të Zyrës Ligjore të Kryeministrit dhe për opinionin nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.














