Njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, në një intervistë dhënë për “Gazeta Blic” ka folur në lidhje me procesin e betimit të kryetarëve të Zveçanit dhe Zubin Potokut që pritet të mbahet nesër në Veri.
Ibishi tha se nesër mund të ketë tensione të krijuara artificialisht nga grupet e dirigjuara nga Vuçiq, me qëllim që situata të paraqitet e tensionuar.
“Prisja një sprovë me konstituimin e Asamblesë Komunale dhe kryetarit e nënkryetarit në Mitrovicën e Veriut dhe ajo shkoi mirë, nuk pati as protesta as tensione të sigurisë. Por tash në vazhdim Lista Serbe me nënkryetarin Igor Simiq ka paralajmëruar, se nëse deri me 1 Qershor nëse nuk pushojmë krijimet e institucioneve në Veri, atëherë do të fillojnë protesat dhe do të zgjedhin mjete me qëllim që të pengojnë edhe konstituimin e Asambleve komunale me kryetarët dhe nënkryetarët por edhe çështje të tjera që ata i lidhin me kërkesën e tyre të vazhdueshme për krijimin e Asociacionit. Situatën ata artificialisht e paraqesin të tensionuar, gjegjësisht do të krijojnë situata të tilla me qëllim që të pengojmë mbarëvajtjen e betimit të dy kryetarëve në dy komunat nesër. Mendoj se këto paralajmërime janë vetëm një vazhdim i adresimit të kërcënimeve nga Lista Serbe dhe ekstremistë të tjerë që vijnë të adresuar nga presidenti i një vendi fqinj, Aleksandër Vuçiq. Ai ngrit menjëherë tensione me dhënien e urdhërave për veprim destruktiv me qëllim që ta ndihmojnë Bashkësinë Ndërkombëtare, kinse serbët janë të kërcënuar, nuk janë të përfshirë në institucione” tha Ibishi për “Gazeta Blic”
“Realisht Qeveria e Kosovës dhe institucionet e tjera kanë bërë gjithçka që ata të jenë pjesë e institucioneve, por ata i kanë injoruar dhe bojkotuar me largime prej Policisë së Kosovës, nga Gjykatat, Prokuroria dhe kryetarët e komunave që tani po rithemelohen pas zgjedhjeve” deklaroi ai për “Gazeta Blic”












