Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kujtuar sot në 24-vjetorin e tyre të rënies, të rënët e Batalionit Gardist “Shkëlzen Haradinaj”, shkruan Gazeta Online Veriu.info.
I pari i AAK-së ka thënë se ata kishin rënë duke bërë mburojë për ushtarët e plagosur në betejë, derisa ka shtuar se vepra e tyre do të jetë përgjithmonë pjesë e historisë.
“Në Gllogjan dhe Kodrali, në nderim dhe respekt për Batalionin Gardist “Shkëlzen Haradinaj” dhe 16 trimave të kësaj njësie që dhanë jetën para 24 vitesh, të udhëhequr nga Komandanti Avdyl Mushkolaj. Ata ranë duke u bërë mburojë për ushtarët e plagosur në betejë”, ka shkruar Haradinaj.
“Krenohemi me gardistët, betejën dhe trimërinë e tyre të treguar! Vepra e heronjve të rënë për lirinë e atdheut do të mbetet gjithmonë në kujtesën historike dhe të brezave që vijnë”, ka shtuar ai.












