
Qendra Multifunksionale “Omni Sport” është ndërmarrje lokale me aksionar 100% komunën e Mitrovicës.
Kjo qendër është e themeluar zyrtarisht si ndërmarrje publike në Qeverisjen e kaluar komunale, ku ka në zotërim objektin e një qendre tregtare nga e cila merr qira, si dhe objektin e vet të paraparë për zhvillimin e aktiviteteve sportive dhe afariste.
Komuna e Mitrovicës të drejtat e saj i ushtron përmes Komisionit të Aksionarëve, i cili përbëhet nga dy anëtarë të Kuvendit Komunal dhe një anëtar i ekzekutivit të komunës. Ky komision pastaj i zgjedh anëtarët e Bordit të Drejtorëve, të cilat merren me menaxhimin e ndërmarrjes.
Burime të Veriu info nga Omni Sport ka bërë të ditur se asamblisti dhe anëtari i Komisionit të Aksionarëve, Shkelqim Ibrahimi është duke bërë presion mbi një pjesë të Bordit të Drejtorëve për të dhënë dorëheqje.
Si pasojë e këtij presioni dorëheqje ka dhënë anëtari i Bordit të Drejtorëve, Samir Avdullahu para pak ditësh.
Mirëpo, shef të asamblistëve të PDK-së në Kuvendin Komunal të Mitrovicës, Shkelqim Ibrahimi, kjo nuk po i mjafton. Ai tash po bën presion mbi të paktën edhe një anëtar të Bordit të Drejtorëve për të dhënë dorëheqje, e që ky anëtar deri më tash ka refuzuar të jap dorëheqje dhe po përballet me presion të vazhdueshëm nga Shkelqim Ibrahimi./Veriu.info












