24 vite më parë ra heroikisht dëshmori Milazim Fazliu, nga Gradica e Drenicës, shkruan Veriu info.
Milazimi u lind më 24 maj të vitit 1957, pasi mbaroi me sukes në Shkollën e Mesme Teknike, drejtimi i makinerisë në Drenas (ish-Gllogoc), merr thirrjen për të shkuar në shërbimin e detyrueshëm ushtarak, të cilin e kryen në Gospiq të Kroacisë.
Në fillim të viteve 90, kur regjimi i Milosheviqit kishte futur masat e dhunshme në tërë Kosovën, me qëllim për t’i nënshtruar shqiptarët. Në vitin 1995, policia serbe e arreston me pretekst të kërkimit të armëve. Milazimi dyshohej se posedonte armë edhe me faktin se si teknik i makinerisë dhe i pasionuar pas mjeshtërisë ai kishte punuar vetë armë gjuetie.
Milazimi nuk pranon se kishte armë edhe pas torturave fizike, që kishin ushtruar policët, të cilët kishin arrestuar edhe djalin e vëllait të tij Asllanin, të cilin po ashtu e torturojnë mizorisht, por as ai nuk pranon se kishte armë. Milazimi dhe Asllani ishin të ndërgjegjshëm se armët do t’iu duheshin për ta dëbuar nga Kosova regjimin shtypës e gjakatar të Serbisë. Policët serbë, të bindur se ata kishin armë, të cilat i ruanin me fanatizëm për një qëllim të caktuar vazhdojnë represionin kundër kësaj familjeje. Në mesin e torturuesve ishte polici famëkeq, i quajtur Rajko, lëvizjet e të cilit për shumë kohë do t’i përcillnin Milazimi dhe Asllani, me qëllim për ta likuiduar. Asokohe, policët torturojnë mizorisht të vëllain e Milazimit dhe babain e Asllanit, Zymer Fazliun, të cilin e rrahin në prani të udhëtarëve, në vagonin e trenit që qarkullonte nga Drenasi në Bardh të Madh. Policët duke parë fizikun e tij imponues, me mustaqe dhe vështrim krenar, kërkojnë nga ai ta lavdërojë shqiptarvrasësin Milosheviq.
Zymeri nuk ishte dhënë dhe nuk kishte pranuar urdhrat e policëve, të cilët e kishin ndëshkuar deri në alivanosje. Represioni kundër kësaj dhe shumë familjeve të tjera atdhetare të kësaj ane nuk kishte pushuar deri me daljen në dritë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila në familjen Fazliu tashmë kishte krijuar një bazë të fortë dhe të sigurt.
Milazimi ishte në rrjedhë të aktiviteteve ilegale të UÇK-së. Meqë kishte probleme me shëndetin, për shkak të torturave që kishte ushtruar regjimi, ai në fillim ndihmon luftën e UÇK-së.
Më 25 maj të vitit 1999, në mbrëmje në kohën kur forcat serbe kishin depërtuar në lagjet e fshatit Gradicë, Milazimi ndeshet në befasi me ushtarët serbë. Pas sulmit, mund të tërhiqej, sipas bashkëluftëtarëve, por Milazimi kishte vendosur të qëndronte deri në fishekun e fundit. Atë ditë bie dëshmori i tretë i kësaj familjeje.
Milazimi ka qenë i martuar me Azizen, të cilëve u lindën bijtë e bijat: Fatmirin, Arditën, Shqipen, Nexhatin dhe Xhevatin, të cilët janë krenarë për babain, dëshmor të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.













