
Të hënën, Rusia njohu pavarësinë e dy republikave të vetëshpallura në territorin ukrainas – Luhanskut dhe Donjeckut.
Kështu, ajo vazhdoi shpërbërjen e Ukrainës, pasi më 2014, kësaj të fundit ia aneksoi edhe Krimenë.
Situatën e përshkallëzuar atje, e cila u dënua ashpër nga liderët botërorë, njohësit e sigurisë në Kosovë po e shohin si sinjal që rrethanat mund të përkeqësohen edhe në veri të vendit.
Ish-komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati shpjegon për “Front Online” një nga skenarët e mundshëm.
“Serbia e ka emëruar një gjeneral që të punojë me serbët lokal dhe mercenarët rusë. Kështu që mund të ngritën tensione nga popullata lokale në veri, duke i bllokuar rrugët, siç e kanë zakon. Mund të tentojnë të shkëputën nga Prishtina”, tha Kastrati për “Front Online”.
Se Serbia mund ta shfrytëzojë konfliktin Rusi – Ukrainë për të trazuar ujërat në veri e potencon edhe eksperti i sigurisë, Avni Islami.
“Rusia është e interesuar që t`i bashkërendisë aktivitetet e saj me Serbinë. Serbia është e interesuar që Veriu të mos jetë pjesë e Kosovës. Nuk do të duhej të injorohej situata. Serbia do ta ngris presionin”, theksoi Islami për “Front Online”.
Megjithatë Islami sqaron se pse gjendja e sigurisë në Kosovë dallon me atë në Ukrainë.
“Sigurinë në Kosovë e garanton NATO dhe çdo cenim i sovranitetit të Kosovës është sulm ndaj aleancës transatlantike. Ukriana nuk është pjesë e NATO-s dhe nuk ka trupa të NATO-s atje”, tregoi Islami për “Front Online”.
Sidoqoftë kolegu i tij, Kadri Kastrati po bën thirrje për kujdes.
“NATO është përgjegjëse për sigurinë e kufijve. E shoh që duhet me u përgatit ajo me Policinë, FSK-në që të bëjnë përgatitjet e përbashkëta nëse ndodh diçka e tillë”, u shpreh Kastrati për “Front Online”.
Sot gjatë ditës Ministria e Punëve të Jashtme ka reaguar, duke thënë se Kosova qëndron me Ukrainën, ndërsa thekson se bota duhet t’i përgjigjet Putinit me vendosmëri.











