Hetuesit e Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës janë vënë në lëvizje për kontratën e dyshimtë të Komunës së Vushtrrisë me kompaninë “M-Holding” Sh.P.K., ka thënë sot kreu i komunës, Ferit Idrizi.
Paparaci, raportoi të martën se në kohë pandemie kur shumica e bizneseve afariste morën goditje të rënda financiare, kompania private e lidhur me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) rriti fitimet e saj.
Komuna e Vushtrrisë, e udhëhequr nga ish-kryetari Xhafer Tahiri, në shtator të vitit 2020 përzgjodhi “M-Holding” Sh.P.K. që të kryente një shërbim studimor mbi pandeminë. Firma, e cila paradoksalisht figuron të jetë e specializuar në patundshmëri, lidhi marrëveshje me komunën për realizimin e një studimi mbi efektet e pandemisë COVID-19.
Marrëveshja mes palëve është nën hetime, ka thënë sot kryetari aktual i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi.
Idrizi tha të mërkurën për Paparacin se kontrata e lidhur mes Komunës së Vushtrrisë dhe “M-Holding” Sh.P.K. është dorëzuar në Krimet Ekonomike të Policisë së Kosovës.
Por këtë tender të dhënë nga ish-kryetari, qeverisja e tanishme po e sheh si keqpërdorim të buxhetit të komunës.
“Kjo është lëndë në shqyrtim të Krimeve Ekonomise. Besoj që jeni të informuar se ata [Krimet Ekonomike, v.j] janë duke u marrë me këtë rast”, ka thënë Idrizi për Paparacin.
Idrizi, ka shprehur dyshime për keqpërdorime në tenderin 140 mijë eurosh të qeverisjes së kaluar.
“Unë personalisht dyshoj që aty ka pasur keqpërdorime, mirëpo ato i konstatojnë më së mirë institucionet kompetente”, ka thënë ai.
Lënda e dyshimtë pritet që t’i nënshtrohet një auditimi.
“Është komplet dosja që e kemi kompletuar, është në radhë edhe kjo për t’iu shqyrtuar auditimit, por e di që Njësiti i Krimeve Ekonomike e ka marrë këtë dosje dhe është duke e hetuar”, ka thënë Kryetari i Vushtrrisë. /Paparaci.com
Hulumtimi i plotë, i publikuar të martën në mediumin online Paparaci:












