
Korriku i vitit të kaluar ishte tragjik për 49 vjeçarin Driton Salihu nga Mitrovica i cili u qëllua për vdekje nga dy persona të cilët u arratisën, raporton Gazeta Online Veriu.info.
Sot policia e Kosovës ka arrestuar njërin nga të dyshuarit për veprën penale “vrasje e rëndë”.
Veriu.info mëson se i arrestuari është Adrian Beqiri, 30 vjeçar, kurse në arrati gjendet i dyshuari tjetër Fitim Vatovci i njohur si “Laka”.

Driton Salihu kishte mbetur i vrarë ndërsa vëllai i tij Jeton Salihu i plagosur pasi ishte qëlluar me armë zjarri nga dy të dyshuarit e lartcekur.
Sipas familjarëve të viktimës ngjarja kishte filluar nga një rrahje që djemtë e tani të plagosurit kishin me të dyshuarit, ku pastaj këta të fundit erdhën dhe te shtëpia ku shtinë në dy kryefamiljarët.
Të plagosurit fillimisht ishin transferuar për në spital e disa orë më vonë nga autoritetet spitalore ishte raportuar se njëri nga të plagosurit si pasojë e plagëve kishte vdekur.
Policia e Kosovës sot ka njoftuar për arrestimin e 30 vjeçarit A.B.
“I dyshuari kohë më parë, është shpallur në kërkim policor si i dyshuar për bashkryerje në veprën penale ’’Vrasje e rëndë”, e ndodhur më datën 10 korrik 2021, në rrugën “Evlia Qelebia” në Mitrovicën e Jugut, ku si pasojë e plagëve të marra nga arma zjarrit ka vdekur viktima D. S., i moshës 49 vjeçar, ndërsa i plagosur kishte mbetur edhe një person tjetër”, thuhet në komunikatën e policisë.
Pas intervistimit, me aktvendim të prokurorit të rastit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.












