Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u ka dërguar Gjermanisë dhë Francës si propozim një draft statut për Asociacionin për Republikën e Kosovën.
Ai ka thënë se këtë draft ua ka dërguar presidentit Macron dhe kancelarit Scholz, dhe po ashtu e ka njoftuar edhe Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel dhe palën amerikane.
Sipas Ramës, drafti është sipas rekomandimeve të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe është bërë nga ai, duke e ditur se gjërat do të vinin në një pikë që Kosova dhe Serbia s’do të pajtoheshin.Lidhur me këtë, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agon Batusha, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se Rama dëshiron të sillet si ndërmjetës, por që askush nuk ia ka kërkuar këtë dhe nuk është në pozitë që ta bëjë këtë rol.
“Rama po dëshiron të sillet si ndërmjetësues. Askush nuk ia kërkoi dhe nuk është në pozitë të tillë që të bëjë këtë rol”, thotë ai.
Batusha pyetur se “a është diskutuar me Kosovën drafti i propozuar?!”
Deputeti i VV-së po ashtu thotë se Qeveria e Kosovës është ajo që mund dhe duhet ta propozojë draft statutin e Asociacionit dhe se nuk duhet të pranohet asnjë draft që cenon kushtetueshmërinë, sovranitetin dhe funksionimin e shtetit.
“Statutin e Asociacionit mund dhe duhet të propozojë qeveria e Republikës sonë. Dhe natyrisht nuk duhet të pranohet asnjë draft i statutit që cenon kushtetueshmërinë, sovranitetin dhe funksionimin e shtetit tonë”, deklaron Agon Batusha.













