
Klubi i basketbollit “Trepça” nga Mitrovica dëshpëroi edhe njëherë përkrahësit e saj të shumtë, duke mos arritur që të shpallej kampion i Kosovës ku u mposht nga klubi baskebollistik “Peja”.
Përveç përkrahjes së madhe nga mitrovicasit, që mbushën palestrën “Minatori” pothuajse në çdo lojë, klubi mitrovicas mori përkrahje financiare edhe nga komuna e Mitrovicës.
27 mijë euro komuna e Mitrovicës ia ndau klubit basketbollistik “Trepça”, raporton Gazeta Online Veriu.info.
Por auditori në Raportin e Auditimit të Pasqyrave Financiare për vitin 2022 për këtë komunë gjen se këto mjete financiare klubi basketbollistik “Trepça” i mori kundërligjshëm.
Sipas këtij raporti “Trepça” ishte subvencionuar në kundështim me kriteret e Ftesës Publike dhe Rregulloren e Financimit publik të OJQ-ve.
Raporti gjen specifikisht shkeljet në rastin e subvencionimit të klubit ku gjatë testimit nga Auditori i Përgjithshëm u gjet se “Trepça” kishte dorëzuar vërtetimin tatimor 70 ditë pas mbylljes së Ftesës Publike.
Pra njëra nga kriteret e Ftesës Publike ka qenë që OJQ-të të ofrojnë vërtetimin se nuk kanë obligime tatimore, por klubi “Trepça” këtë vërtetim sipas auditorit nuk e dorëzoi me rastin e aplikimit por 70 ditë pas mbylljes së Ftesës Publik.
Shkelja e dytë sipas Auditorit të Përgjithshëm është fakti që personi përgjegjës/menaxheri i KB “Trepça” nuk kishte dorëzuar prova se nuk është nën hetime për vepra penale nga gjykata.
Po ashtu Auditori ka gjetur në rastin e KB “Trepça” dhe dy OJQ tjera se komisioni vlerësues nuk kishte përdorur formularin e obliguar për vlerësimin e cilësisë së aplikacioneve për të bërë poentimin e saktë të aplikacioneve.
Këto çështje jo vetëm që janë në kundështim me rregulloren por nuk garantojnë se vlerësimi është kryer si duhet dhe se përfituesit janë meritorë, thotë ndër të tjera raporti i Auditorit.
Më poshtë mund të shihni të plotë vlerësimin nga raporti i Auditorit për përfitimin e 27 mijë eurove nga KB Trepça.













