Deputetja e Guxo, Jeta Statovci, ka thënë se është fat i keq për Kosovën e për tërë Evropën, që një president si Vuçiq bën nxitje për luftë e vdekje edhe për fëmijët 12-13 vjeç, duke iu referuar deklaratës së tij se fëmijët serbë në Kosovë janë të gatshëm të luftojnë.
Ajo përmes një postimi në Facebook, ka thënë se kjo shpjegon se pse ai i shërbeu Millosheviqit si shërbëtor në luftën në Kosovë, ku nuk u kursyen as fëmijët.
Ajo ka shtuar se në Kosovë, serbët janë më të lirë se në Serbi dhe kjo po i pengon Vuçiqit, sepse Kosova është demokraci.
Postimi i saj i plotë:
Një President si Vuçiq, që bën nxitje për luftë e vdekje edhe për fëmijët 12-13 vjeç, është fat i keq jo vetëm i Kosovës si shtet fqinj, por edhe për tërë kontinentin evropian.Kjo shpjegon përse ky shërbëtor i kriminelit Millosheviq, shërbeu si Ministër i Propagandës në kohën e luftës në Kosovë, ku nuk u kursyen për vdekje as fëmijët nën 5 vjeç.
Kjo shpjegon edhe faktin sa shumë e ka humbur rrugën e tij, duke ushtruar dhunë në Kosovë, duke sfiduar NATO-n siç bëri dikur shefi tij, duke arrestuar policinë e shteteve fqinje dhe duke mos nënshkruar marrëveshjet për paqe.Një kriminel merr hov në kohë krimesh, koha e krimeve në Ukrainë po motivon Presidentin Vuçiq. Në Kosovë, serbët janë më të lirë se në Serbi, e kjo po i pengon Vuçiqit, sepse Kosova është demokraci, e demokracia është tmerri i çdo të çmenduri që i do edhe fëmijët në luftë.











