Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq disa ditë më parë ka paralajmëruar se serbët “do të marrin hapa për lirinë e tyre” për Vidovdan më 28 qershor.
Duke folur për manifestimin që bëhet në Gazimestan të Obiliqit, ai e dha këtë paralajmërim.
“Kam biseduar me përfaqësues të serbëve, me përfaqësues të dëshpëruar të serbëve dhe njerëzit duan ta ruajnë paqen, por nuk dinë ta ruajnë atë. Por jam shumë i sigurt se ata do të udhëheqin lëvizje aktive. Vidovdani është një ditë e rëndësishme në historinë serbe. Në Vidovdan çdo gjë është e dukshme, siç thotë populli ynë, ndërsa në Vidovdan, serbët, jam shumë i bindur, do të hedhin hapat e tyre në mënyrë paqësore në rrugën drejt lirisë së tyre”, tha Vuçiq, duke shtuar “nuk do ta informojmë më askënd”, përveç “ngritjes apo uljes së gatishmërisë luftarake”.
Për ngjarjen në fjalë kanë reaguar edhe emisari i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar si dhe emisari i BE-së, Miroslav Lajçak.
Diplomati amerikan në një debat të zhvilluar në Uashington nga Këshilli Atlantik bashkë me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçk, u shpreh se janë kundër “hapave të njëanshëm”.
“Ne jemi plotësisht të bashkuar në këtë. Jemi kundër hapave të njëanshëm”, u shpreh ai.
Përndryshe, më 17 qershor, gazeta serbe “Blic”, duke u thirrur në burime, ka raportuar se serbët në Kosovë do të nisin në mënyrë të pavarur të formojnë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.
Sipas tyre. planifikohet që në të ardhmen të mbahet një kuvend i popullit serb në Kosovë, “në të cilin do të shpallet Asociacioni dhe do të krijohen organet e tij”.












