
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Gramos Agusholli, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se kërkesa e Kurtit për lirimin e tre policëve kosovarë është legjitime dhe e domosdoshme.
“Kërkesa e kryeministrit Kurti për lirimin e policëve të Kosovës, përveç se është legjitime, ajo është edhe e domosdoshme, sepse përballë tij e ka të parin e një shteti që grabit qytetarë të një vendi tjetër. Absurd apo jo. E pabesueshme”, thotë ai.
Ai e sheh si hap të mirë që edhe SHBA ka kërkuar lirimin e policëve të kidnapuar nga Serbia.“Reagimi i SHBA-ve, në fakt kërkesa e tyre drejtuar Serbisë për lirimin e policëve të kidnapuar, është një hap i mirë, ndonëse ndonjë reagim tjetër nuk do të kishte sens”, thekson deputeti i VV-së për Gazeta Blic.
Sa i përket deklaratës së presidentit serb Vuçiç, se nuk do të takohet me Kurtin pa u liruar serbët e arrestuar, Agusholli potencon se ata janë kriminelë, andaj janë arrestuar, ndërsa që policët janë kidnapuar.
“Vetëm një gjë ta qartësojmë. Kosova ka arrestuar kriminelë brenda territorit të saj. Ata persona kanë precedent kriminal. Ndërsa, Serbia ka kidnapuar zyrtarë të një shteti tjetër. Krahasimet nuk qëndrojnë. Unë mendoj që ky shkëmbim nuk do të pranohet në asnjë variant”, potencon ai.
Deputeti vlerëson se Vuçiç është i interesuar për eskalim të situatës, teksa shton se kaosi, krimi e nëntoka nuk garantojnë qetësi dhe e vetmja garanci është sundimi i ligjit.“Presidenti i Serbisë, është i interesuar për eskalim, status quo, jo për zgjidhje. Derisa nuk shtrihet sovraniteti i plotë i institucioneve të Kosovës në veri, nuk do të ketë qetësi. Kaosi, krimi e nëntoka, nuk janë elemente që garantojnë qetësi. Sundimi i ligjit, funksionimi i institucioneve, është e vetmja garanci për stabilitet në atë pjesë”, deklaron deputeti i VV-së, Gramos Agusholli.












