
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla në Twitter ka postuar një video ku është “rikrijuar” si animacion momenti i kidnapimit të tre policëve kosovarë në Leposaviq.
Në postimin e tij në Twitter, Sveçla ka thënë se gjithçka ka qenë e planifikuar.
“Kjo video më poshtë, tregon se si forcat serbe me urdhër direkt nga Vuçiqi, kidnapuan zyrtarët e policisë së Kosovës, thellë në territorin e Kosovës. Saktësisht 1 kilometër nga kufiri. Serbia duhet të ndalojë dizinformimin dhe t’i lirojë zyrtarët tanë”, shkruan Sveçla.
Tre policët kosovarë po vazhdojnë të mbahen në paraburgim në Serbi pasi u kidnapuan në territorin e Kosovës.
Kryeminsitri i Kosovës, Albin Kurti dhe krerë të tjerë shtetërorë kanë bërë thirrje për lirimin e tre policëve. Të njëjtën e ka bërë edhe bashkësia ndërkombëtare.












