Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se për ndërkombëtarët që janë shtete aleate strategjike, është e pakonceptueshme që Kosova refuzon të bëjë një hap të vogël për shtensionimin e situatës në veri.
Kryeministri shqiptar thotë se nga “mjegulla” që po e krijon qasja që po e krijon Kosova në raport me aleatët e saj, po përfiton Serbia.
“Kësisoj Beogradi po ia del të fshihet pas mjegullës gjithnjë e më të dendur, që qasja e pashpjegueshme strategjike e Prishtinës po krijon mes Kosovës dhe bashkësisë euroatlantike, sidomos pas lirimit pa kushte nga Serbia të tre policëve të mbajtur fare padrejtësisht, me ditë të tëra, në kushtet e heqjes së lirisë”, thuhet ndër të tjera në reagimin e Ramës, të publikuar në Twitter.
Postimi i plotë:
Takimet me autoritetet më të larta të Bashkimit Europian ishin një lajm shumë i mirë lidhur me progresin e Shqipërisë në negociatat me Bashkimin Europian dhe politikën tonë konstruktive rajonale. Por fatkeqësisht në këto takime, ishte tejet brengosës konstatimi i regresit të marrëdhënieve të Republikës së Kosovës me bashkësinë euro-atlantike. BE-ja e mbështetur nga SHBA ka vënë në Tryezën e Dialogut mes Serbisë dhe Kosovës, planin më të mirë të mundshëm të normalizimit, i cili paqton më në fund Ballkanin Perëndimor, duke i hapur rrugë edhe njohjes së plotë ndërkombëtare të Kosovës!
Eshtë e pakonceptueshme për aleatët tanë strategjikë, që Kosova vazhdon refuzon të hedhë qoftë edhe një hap të vetëm konkret e konstruktiv për de-eskalimin e situatës gjithnjë e më të rrezikshme në Veriun e Republikës së Kosovës. Kësisoj Beogradi po ia del të fshihet pas mjegullës gjithnjë e më të dendur, që qasja e pashpjegueshme strategjike e Prishtinës po krijon mes Kosovës dhe bashkësisë euroatlantike, sidomos pas lirimit pa kushte nga Serbia të tre policëve të mbajtur fare padrejtësisht, me ditë të tëra, në kushtet e heqjes së lirisë.












