
Nënkryetari i LDK-së, Lufti Haziri, ka folur për zhvillimet e fundit në veri dhe thirrjet e ndërkombëtarëve për shtensionim të situatës.
Në Info Magazine të Klan Kosovës, ai ka deklaruar se beson që kryeministri Albin Kurti ka ndonjë agjendë të fshehur.
“Kur po themi nuk ka agjendë të fshehur nga ndërkombëtarët, nuk po besojmë se nuk ka agjendë të fshehur nga kryeministri.Për vet faktin që nuk kemi përfshirje, nuk ka konsultime intensive, ku presidentja dhe kryekuvendari janë të distancuar i ka dërguar të dy në kënd të vdekur, të dy nuk i lë t’i përzihen”, ka thënë Haziri.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti sot ka dal me një propozim, ku i ka paraqitur katër pika Serbisë që i konsideron të nevojshme për de-eskalimin e situatës në veri.
Kurti përmes një postimi në rrjetin social në Facebok ka thënë se një nga pikat e paraqitura është “Tërheqja e protestuesve të dhunshëm nga ndërtesat komunale dhe rrethina e tyre”.
“1) Tërheqja e protestuesve të dhunshëm nga ndërtesat komunale dhe rrethina e tyre;
2) Zotimi për bashkëpunim në paraburgimin dhe procedimin gjyqësor të kryesve nga ana e Kosovës, me monitorim nga ana e EULEX-it dhe garanci të plota për gjykim të drejtë;
3) Reduktimi i gatishmërisë së forcave të armatosura në nivel të ulët, asnjë lëvizje e re e trupave, heqja e 48 Bazave të Përparme Operative që ndodhen përgjatë kufirit.
4) Serbia të mos pengojë apo ndërhyjë në të drejtën e qytetarëve të përkatësisë serbe të Kosovës dhe të gjitha partive politike për të marrë pjesë lirshëm, pa asnjë frikësim, detyrim apo ndikim korruptiv, në procesin e zgjedhjeve lokale të Kosovës”, ka shkruar Kurti.
Po ashtu kryeministri i vendit tregoi edhe propozimet që ia paraqiti para një jave në Bruksel, përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell, se për çfarë është e gatshme të bëjë Kosova.












