Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar pasi BE-ja ka konfirmuar se masat ndaj Kosovës kanë hyrë në fuqi.
Haradinaj në reagimin e tij ka thënë se sanksionet e BE-së dhe paralajmërimet e SHBA-së se Qeveria e Kosovës është në rrugë të gabuar dëshmojnë se sa e rrezikshme dhe e pashpresë është gjendja.
Ai ua ka bërë edhe një herë thirrje opozitës por edhe deputetëve të shumicës që bashkohen për të jetësuar mocionin për shkarkimin e qeverisë Kurti, raporton Gazeta Blic.
Reagimi i plotë:
Të dashur qytetarë të Kosovës,
I vetëdijshëm se Kosova me këtë kryeministër po hyn në një rrugë pa krye, para pak ditësh kërkova mocion për shkarkimin e Albin Kurtit.
Sanksionet e BE-së ndaj Kosovës dhe paralajmërimet e SHBA-së se Qeveria e Kosovës është në rrugë të gabuar, e dëshmojnë se sa e rrezikshme dhe e pashpresë është gjendja, e cila fatkeqësisht do të shkojë duke u përkeqësuar gjithnjë e më shumë.
Prandaj sot është koha të veprohet dhe të bashkohen të gjithë ata që interes parësor e kanë Kosovën, qofshin në opozitë ose edhe deputetë të shumicës, e ta jetësojnë mocionin për shkarkimin e kësaj Qeverie.
Hezitimi për të vepruar në kohë të një krize kaq të thellë e me pasoja të paimagjinueshme për vendin është bashkëfajësi.
Mocioni për shkarkimin e Albin Kurtit, sot është interes kombëtar!












