
Përfaqësuesi i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, do të qëndrojë nesër për vizitë në Kosovë.
Analisti politik, Gazmir Raci, në një prononcim për Gazeta Blic, për vizitën e tij, thotë se Lajçak duhet të gjejë opsione për të dalë nga kriza që jemi dhe jo të vazhdojë me presion.
“Lajçak nuk duhet të vazhdojë me këso qasje presioni por të gjetjes së opsioneve për të dalë nga kjo situatë që jemi tani. Ndërmjetësit duhet t’i afrojnë qëndrimet e palëve në mes tyre e jo t’i largojë ato”, thotë ai.
Sipas Racit, ka nevojë për zgjidhje të qëndrueshme që garanton kthim në tryezë për zbatim të planit franko-gjerman.
“Kemi nevojë për një zgjidhje të qëndrueshme që garanton kthim në tryezë për të zbatuar planin franko-gjerman dhe aneksin e Ohrit. Kosova është aleati më besnik i perëndimit dje, sot e nesër.
Kosova nuk ka alternativë siç e bën Serbia me Rusinë dhe Kinën”, deklaron Gazmir Raci.










