Përmes një videoje, Lëvizja Vetëvendosje ka goditur partitë opozitare pasi PDK mori vendim për shkëputje të komunikimit me Kurtin dhe Osmanit, ndërsa LDK për bojkotim të mbledhjeve të kryesisë së Kuvendit, shkruan Veriu.info.
Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu e ka quajtur “shizofreni“ politike me pasoja të rënda për Kosovën dhe me favore për Serbinë qeverisjen e Kurtit.
“Pozitë dhe opozitë, media dhe shoqëri civile, studentë e mësimdhënës, të gjithë duhet të ngrihen kundër “shizofrenisë” politike të Albin Kurtit, që me veprimet e tij po i krijon favore Serbisë dhe po sanksionon Kosovën”, ka shkruar ndër të tjera Haxhiu./Veriu.info
Postimi i plotë:
“Shizofrenia” politike e Albin Kurtit sjellë sanksionim dhe izolim të Kosovës, ndërsa krijon favore për Vuçiqin dhe Serbinë!
Rruga e Kosovës deri këtu ka qenë shumë e vështirë, plot mund dhe sakrifica, kemi arritur lirinë dhe pavarësinë, njohjen, ndërkombtarizimin dhe antarësimin në organizatat ndërkombëtare me ndihmën e partnerëve dhe miqve tanë euroatlantik.
Falë luftës se UÇK-së dhe ndihmën e miqve dhe partnerëve të Kosovës kemi arritur të çlirohemi e pavarësohemi.
Kushdo që cënon këtë partneritet të Kosovës me miqtë e saj SHBA dhe partnerët euroatlantik ka synim ta kthej Kosovën në ditët e errëta të okupimit dhe izolimit. Ky fakt nuk mbulohet me asnjë video propaganduese politike populliste nga ata që u dorëzuan në luftë dhe u falën nga Serbia pas lufte dhe tani në qeverisje me vendimet e tyre po i krijojnë favore Serbisë.
Zbatimi i ligjit dhe Kushtetutës së Kosovës nuk është kontestuar asnjëherë nga asnjë Qeveri dhe as partnerët tanë, përkundrazi, ata i kemi pasë aleatë në zgjidhjen e situatës në veri të vendit dhe vendosjen e ligjshmërisë dhe sovranitetit deri në pika 1 dhe 31.
Prandaj nxitja e frymës antiamerikane nga vartësit e Qeverisë Kurti na bëjnë të dyshojmë në qëllimet e tij për shkak të sjelljeve të papërgjegjshme ndaj partnerëve dhe sponsorizuesve të pavarësisë sonë.
Kjo mënyrë e Qeverisjes së Kurtit është “shizofreni“ politike me pasoja të rënda për Kosovën dhe me favore për Serbinë.
Pozitë dhe opozitë, media dhe shoqëri civile, studentë e mësimdhënës, të gjithë duhet të ngrihen kundër “shizofrenisë” politike të Albin Kurtit, që me veprimet e tij po i krijon favore Serbisë dhe po sanksionon Kosovën.
Populli i dha mundësinë Albin Kurtit të qeverisë i vetëm, populli mund ta ndaloj këtë “shizofreni” politike të Kurtit.
Vendi duhet të udhëhiqet nga politikanë normal dhe të pakorruptuar, vizionarë që punojnë për forcimin e shtetësisë së Kosovës dhe jo izolimin e saj.
Unë besoj se Kosova ka potencial që me partnerët e saj të jetë pjesë e NATO-s dhe Bashkimit Evropian.












