Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka mbështetur vendimin e Qeverisë së Kosovës për themelimit të Fondit të Sigurisë.
Haradinaj në një postim në Facebook ka shkruar se agresioni rus në Ukrainë dhe pozicionimi i qartë i Serbisë krahas Putinit dhe Rusisë, është kërcënim serioz për sigurinë në Ballkan, veçanërisht në Kosovë.
“Kjo situatë kërkon veprim të shpejtë, vendime efikase, të nevojshme e të përgjegjshme të të gjitha institucioneve të vendit. Besoj që ky vendim i qeverisë duhet të shndërrohet edhe në Ligj i cili do të votohej në Kuvend. Për çështje të sigurisë, Aleanca gjithnjë është e rreshtuar aty ku është interesi nacional”, ka shkruar ai.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar sot se është themeluar ‘Fondi i Sigurisë’.
Ministria e Financave e Kosovës është autorizuar që të themelojë “Fondin e Sigurisë”.
Kjo është bërë e ditur me anë të një postimi në Facebook nga kryeministri i vendit, Albin Kurti.
Kurti tha se fondet e mbledhura do të përdoren në përputhje me strategjinë e sigurisë shtetërore ë Kosovës.
Ai me këtë rast bëri thirrje që qytetarët e Kosovës dhe diaspora të kontribuojnë për sigurinë shtetërore.













